Lajme

Gërvalla e njofton homologun nga Malta për veprimet destabilizuese të Serbisë


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se në takim me homologun e saj nga Malta, Ian Borg, i cili është edhe kryesues i OSBE-së kanë diskutuar për sundimin e ligjit dhe tema të ndryshme.

“Bashkëpunimi në demokratizim, sundim të ligjit, liri të mediave, avancim të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe siguria në Kosovë dhe rajon ishin temat kyçe në takimin mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Maltës, kryesues i OSBE-së, Ian Borg”, thuhet në njoftim për media të MPJ-së.

Sipas njoftimit, Gërvalla, pasi e uroi homologun nga Malta për marrjen e pozicionit të ri si kryesues i OSBE-së, shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja, të cilat si qëllim kanë demokratizimin, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Republika e Kosovës është shembull në rajon sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe si faktor stabiliteti, andaj anëtarësimi i Kosovës në OSBE do të forconte edhe më tepër rolin e OSBE-së në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor”.

“Më tej, të dy ministrat folën edhe për procesin e Berlinit, zbatimin e marrëveshjeve dhe hapat përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si alternativë e vetme për të ardhmen e rajonit duke ngritur në pah anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Po ashtu, Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe për situatën në veri të vendit, investimet e qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, respektimin e të drejtave të serbëve lokal dhe veprimet destabilizuese të Serbisë, të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore