Lajme

Gazprom nis shtimin e furnizimeve me gaz në Evropë


Gazprom, grupi shtetëror rus i gazit, ka nisur të mbushë disa nga objektet e tij të magazinimit në Evropë.

Lëvizja shënon shenjën e parë domethënëse se grupi është i gatshëm të veprojë sipas një premtimi të presidentit Vladimir Putin për të ndihmuar në zbutjen e krizës energjetike të kontinentit.

Gazprom ka treguar se ka “përcaktuar vëllimet dhe rrugët për transportin e gazit” në katër vende në Gjermani dhe një në Austri, tregon e përditshmja Financial Times.

Mirëpo, detaje të tjera nuk ka dhënë.

Vetë Putini kishte premtuar se kompania do të fillonte këtë javë të mbushte disa nga vendet e saj të ruajtjes në Evropë, pasi vëllimet e gazit të binin në nivele jashtëzakonisht të ulëta.

Kjo tentativë e Rusisë është për të rritur eksportet në Evropën Perëndimore pasi rritja e çmimeve të gazit e ka shtyrë rajonin në prag të një krize energjetike.

Nga ana tjetër, disa ligjvënës evropianë kanë fajësuar Moskën për problemet e kufizimit të furnizimeve.

Financial Times tregon se kërkesa globale, rënia e prodhimit të energjisë nga era dhe rritja e konsumit të gazit natyror të lëngshëm në Azi i, i kanë lënë konsumatorët evropianë të shpresojnë për ndihmë nga Rusia.

Kjo sepse vendi siguron 40 për qind të gazit të kontinentit.

Megjithatë, tregjet reaguan me shpejtësi pasi u bë e qartë se Rusia nuk do të rriste vëllimet e furnizimit aq sa duhet për të shmangur shqetësimet.

Madje, një dimër më i ftohtë se sa pritej mund të krijonte mungesa të gazit në Evropë.

Putin kishte urdhëruar Gazprom që të fillonte mbushjen e magazinave evropiane deri këtë javë pasi mbaroi grumbullimin e inventarëve rusë, shkruan Financial Times.

Por çdo furnizim i mëtejshëm i gazit do të duhej të vinte nëpërmjet tubacionit të diskutueshëm Nord Stream 2, i cili anashkalon rrugët tradicionale të tranzitit përmes Ukrainës për të furnizuar Gjermaninë përmes Detit Baltik.

Ndërkaq, Moska ka mohuar pretendimet e disa politikëbërësve evropianë se Gazprom po përkeqësonte krizën e gazit duke kufizuar vëllimet e eksportit.

Sergiy Makogon, kreu i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Gazit të Ukrainës, ka thënë se Gazprom kishte rezervuar 20 milionë metra kub shtesë në ditë të kapacitetit të tubacionit përmes Ukrainës, duke çuar furnizimet totale në rreth 110 milionë metra kub në ditë.

Por sipas tij, rritja e volumit nuk ishte aspak afër nivelit të nevojshëm.

Gazprom posedon tetë depo evropiane nëntokësore jashtë Rusisë, duke përfshirë katër në Gjermani – Jemgum, Katharina, Rehden dhe Etzel – dhe një në Austri, Haidach.

Të dhënat nga organi i industrisë, Gas Infrastructure Europe, tregojnë se që nga 7 nëntori, magazinimi në vendin e Rehden në Gjermani ishte dukshëm nën nivelet historike. Vetëm 9.6 për qind plot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore