Kosova

Gazi lotsjellës –  Konjufca në Gjykatë, pritet dëshmia e Pal Lekajt  


Glauk Konjufca

Të mërkurën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të dalë para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për rastin ku ai po akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Të mërkurën në rastin e Konjufcës pritet të dëshmojë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, dëshmia e të cilët do të duhej të paraqitej në seancën e 8 shkurtit, por e njëjta u shtyje për shkak të angazhimeve që atë ditë kishte pasur Konjufca.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkonte me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, në Kuvendin e Kosovës në cilësinë e deputetit ka hedhur gazë lotsjellës.

Si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve ishte pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka Konjufca, sipas aktakuzës, ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Konjufca, gjithashtu po akuzohet se gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Për dy këto akuza, Konjufca ishte deklaruar si i pafajshëm.

“Për këtë që më akuzoni ndjehem plotësisht i pafajshëm”, ishte deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore