Lajme

Gazetari ukrainas u ekzekutua nga forcat ruse, sipas RSF-së


Fotoreporteri ukrainas, Maks Levin, është ekzekutuar me gjakftohtësi nga trupat ruse.

Është ky përfundimi i raportit hetimor të Reporterëve pa Kufi (RSF).

Trupat e gazetarit ukrainas dhe ushtarakut që e shoqëronte, Oleksiy Chernyshov, u gjetën më 1 prill në një pyll pranë Huta-Mezhyhirska-s.

Ky i fundit është një fshat 30 kilometra në veri të kryeqytetit, Kiev.

Reporterët pa Kufij zbuluan se gazetari mbante veshur një shirit blu të ngjashëm me atë që mbanin ushtarët ukrainas.

Ai kishte ndarë hera-herës informacionin e mbledhur nga droni i tij, duke përfshirë pozicionet ruse, me forcat ukrainase.

“Por përdorimi i dronit të tij ishte, para së gjithash, një përpjekje gazetareske, e konfirmuar nga rrethimi i tij dhe e treguar nga imazhet e shitura në media që nga fillimi i pushtimit rus”, theksoi grupi i lirisë së shtypit në raport.

Ndërtimi i ngjarjes

Shenjat e fundit nga Levin dhe Chernyshov u regjistruan për herë të fundit më 13 mars.

Një gjurmues GPS-je në automjetin e tyre dha pozicionin e tyre të fundit, në pyjet në veri të Kiev-it.

Fotografi 40-vjeçar humbi dronin e tij në këtë zonë më 10 mars dhe nuk kishte mundur ta rikuperonte atë për shkak të të shtënave ruse.

“Reporterët pa Kufij” numëruan 14 vrima plumbash në pjesën e djegur të makinës së tyre, të cilës i kishte vënë flaka.

Trupi i Levin-it ishte i shtrirë në shpinë, pa shenja djegie.

Tri goditje plumbash ishin të dukshme, një në gjoks dhe dy në kokë.

Një ekip ukrainas me detektorë metalikë zbuloi gjithashtu një plumb të fshehur në dheun ku gjendej trupi i Levin-it.

Trupat e kërkimit gjetën edhe disa nga sendet e Levin-it dhe Chernyshov-it, duke përfshirë kartat e identitetit të ushtarit, pjesë të jelekut të tij antiplumb dhe helmetën e fotografit.

Kjo përbën prova materiale të “prezencës ruse shumë afër vendit të krimit”, shtoi grupi në raportin e tij, duke shtuar se gjetjet “tregojnë se dy burrat pa dyshim u ekzekutuan me gjakftohtësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore