Lajme

Gazetari serb: Letra e ligjvënësve evropiano-amerikanë e lëndoi veshin e Vuçiçit


Aleksander Vucic

Gazetari dhe publicisti serb, Nenad Kulaçin, në një editorial të publikuar në rrjetin mediatik ndërkombëtar “Al Jazeera”, ka shkruar se letra e dhjëtëra ligjvënësve të lartë evropiano-amerikanë për marrëdhënie me jashtë, ka lënduar veshin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili përjetoi të njëjtën dhimbje edhe nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj kryespiunit serb, Aleksandër Vulin, porse ka vlerësuar se letra duhej të shkruhej nga vetë liderët perëndimorë.

Dhjetëra ligjvënës nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, kanë kërkuar nga shefat e diplomacive në Bruksel, Londër dhe Uashington, një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se në adresimin e krizës në veriun e trazuar të Kosovës, politika e përbashkët perëndimore duhet t’i kthehet “ekuilibrit dhe proporcionalitetit”.

“Do të kishte qenë më e mençur sikur një duzinë liderësh nga Perëndimi të shkruanin një letër të tillë, sepse kjo letër e lëndoi veshin e Vuçiçit ashtu siç kishte ndier më parë të njëjtën dhimbje për sanksionet e vendosura nga SHBA-të ndaj shokut të tij, Aleksandër Vulin. Absolutisht asgjë nuk e lëndoi kur SHBA-të vendosën nën sanksione Milan Radoiçiçin, liderin joformal të serbëve të Kosovës”, ka shkruar Kulaçin, të enjten.

Gjithashtu, në letër shprehet shqetësimi se diplomatët perëndimorë po ndjekin një politikë të butë ndaj Serbisë, nga frika se ajo mund të rreshtohet në anën e Rusisë, kurse nga ana tjetër “Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme”, porse sipas gazetarit serb, ndonëse kjo letër duhet parë në kuptimin që liderët perëndimorë e kuptojnë shumë mirë se çfarë po ndodh në Serbi dhe rreth saj, ata nuk kanë askënd tjetër që të çojë përpara mbylljen e çështjes së Kosovës.

“Në kontekstin e presionit ndaj Vuçiçit, letra ka kuptim, sepse është e qartë se ai po forcohet. Publiku në Serbi është i bindur sepse Vuçiç ka marrë përsipër disa nga obligimet lidhur me fundin e historisë së Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka askënd tjetër që t’i besojë për një gjë të tillë në Serbi dhe është logjike që derisa të shfaqet ndonjë personalitet i ri, bindës dhe me mbështetje të mjaftueshme në popull, presidenti serb do të jetë i preferuari i komunitetit ndërkombëtar”.

Ky mesazh i deklaratës së 10 kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetëve nga shtetet mike të Kosovës, përfshirë Ukrainën, në Prishtinë ishte pritur me entuziazëm të madh dhe ishte përkthyer nga autoritetet kosovare si çështje solidariteti, ndërsa në Beograd kanë thënë se letra nuk kishte të bënte ekskluzivisht me presidentin serb, ngase ai ndihet krenar që nuk e njeh Kosovën, por me vetë shtetin e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore