Shqipëria

Gazetarët e Mesdheut, Rama i ftuar në Otranto


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë i ftuari i veçantë i festivalit të Gazetarëve të Mesdheut, i cili do të zhvillohet në Otranto më 3 shtator dhe do të shërbejë edhe si një përkujtimore e viktimave të tragjedisë së Otrantos, e ndodhur më 28 mars 1997.

“Jam i lumtur, që do të mirëpres kryeministrin Rama”, deklaroi kryebashkiaku i Otrantos, Pierpaolo Cariddi. “Një ceremoni, do të përkujtojë viktimat e tragjedisë së madhe detare”.

Mbetjet e anijes “Kater i Radës” do të marrin një jetë të re në formën e instalacionit përkujtimor. Për kryebashkiakun Cariddi, është e mrekullueshme se si një relike e destinuar për shkatërrim, u kthye në një vepër arti.

Bashkia e parë, e cila u erdhi në ndihmë personave të përfshirë në tragjedi, ishte pikërisht ajo e Otrantos. Kanali midis Vlorës dhe Otrantos, shënjon edhe pikën më të afërt tokësore midis Shqipërisë dhe Italisë.

“Afërsia jonë me Shqipërinë është fakt objektiv historik. Askush nuk mund ta vendosë në diskutim këtë gjë”, vijoi kryebashkiaku.

Një tjetër aspekt i vizitës së Ramës, do të jetë edhe inaugurimi i një doku-ekspozite për eksodin e madh të shqiptarëve, 30 vjet më parë. Ekspozita do të quhet “IntegrAzione: 30 vite të eksodit të madh shqiptar në Itali”.

Ajo do të jetë e kuruar nga fotoreporteri puliez Vittoria Arceri.

Ngjarja do të shtrihet prej datës 1 në 4 shtator.

Kryeministri i Shqipërisë do të ketë daljen e tij më 3 shtator në orën 19:30.

Tragjedia e Otrantos

Tragjedia e Otrantos, më 28 mars 1997, u mori jetën të paktën 84 shqiptarëve, të moshave nga 3 muaj në 69 vjeç.

Një përplasje me anijen e marinës italiane, Sibilla, do të rezultonte fatale.

Kjo ngjarje do të ishte në vazhdën e eksodit të madh të shqiptarëve drejt Italisë, i cili filloi që prej vitit 1991, me rënien e regjimit komunist.

Të dy drejtuesit e anijeve u dënuan për këtë ngjarje. Pyetje të mëdha u shtruan, mbi autoritetin dhe limitet e veprimit që një shtet mund të kryejë, për të mbrojtur hyrjen e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Ngushtica prej 56 kilometrash është tashmë një vend vajtimi për kujtesën historike të shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore