Kosova

Gazetarë, aplikoni për vaksinim


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se që nga 1 korriku, të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët do të mund të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga AGK-ja, ku thuhet se kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të këtij asociacioni me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Sot komiteti respektiv ka marrë vendim për përfshirje të gazetarëve me prioritet për imunizim! Që nga nesër edhe platforma E – Kosova do e mundësojë versionin me këtë ndryshim, dhe do njoftoheni sapo të jetë bërë përditesimi i ndryshimit në platformen e cekur”, thuhet në njoftim.

AGK-ja e sheh si të rëndësishëm këtë vendim pasi që sipas tyre, gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.

“E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial”, vijon njoftimi.

“Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”.

Për infektologun, Ilir Tolaj, vaksinimi i gazetarëve duhet të jetë prioritet i njëjtë sikur i policëve dhe mësimdhënësve.

“Gazetaret, njëjtë si edhe mësimdhënësit, policët apo grupet e ngjashme, janë më të rrezikuar nga COVID-19. Për këtë, vaksinimi i tyre mund të konsiderohet prioritet dhe me ndikim në ecurinë e pandemisë”, ka thënë Tolaj për Albanian Post.

Sipas tij, secili person i cili në aktivitetin e vet të përditshëm i nënshtrohet kontaktit të afërt me numër të madh të personave të tjerë potencialisht i nënshtrohet rrezikut më të madh për tu prekur nga infeksioni COVID-19.

Tolaj tutje ka thënë se duhet të shpejtohet vaksinimi masiv i qytetarëve.

“Nëse qëllimi jonë është kthimi në normalitet, atëherë vaksinimi duhet të përshpejtohet dhe masivizohet në kuptim të plotë të fjalës”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore