Lajme

Vaksinimi i gazetarëve nuk është prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë


Raportimi i gazetarëve nga epiqendrat e pandemisë COVID-19

Gazetarët në vendet e rajonit kanë filluar të imunizohen me vaksinën kundër pandemisë COVID-19, por fat të njëjtë nuk kanë kolegët e tyre në Kosovë.

Përkundër që gazetarët ishin ata që raportonin pa reshtur nga epiqendrat e epidemisë, nga spitalet dhe repartet e infektivës, vaksinimi i tyre në Kosovë ende nuk ka filluar.

Për infektologun, Ilir Tolaj, vaksinimi i gazetarëve duhet të jetë prioritet i njëjtë sikur i policëve dhe mësimdhënësve.

“Gazetaret, njëjtë si edhe mësimdhënësit, policët apo grupet e ngjashme, janë më të rrezikuar nga COVID-19. Për këtë, vaksinimi i tyre mund të konsiderohet prioritet dhe me ndikim në ecurinë e pandemisë”, ka thënë Tolaj për Albanian Post.

Sipas tij, secili person i cili në aktivitetin e vet të përditshëm i nënshtrohet kontaktit të afërt me numër të madh të personave të tjerë potencialisht i nënshtrohet rrezikut më të madh për tu prekur nga infeksioni COVID-19.

Tolaj tutje ka thënë se duhet të shpejtohet vaksinimi masiv i qytetarëve.

“Nëse qëllimi jonë është kthimi në normalitet, atëherë vaksinimi duhet të përshpejtohet dhe masivizohet në kuptim të plotë të fjalës”, ka thënë ai.

Ndërsa për Ministrinë e Shëndetësisë vaksinimi i gazetarëve nuk është prioritet, ashtu si grupet tjera.

Prioritet i MSH-së janë personat me sëmundje kronike, policët, pjesëtarët e FSK-së dhe mësimdhënësit.

“Ndërkohë sapo të ketë përfunduar kjo fazë e vaksinimit të moshës 65+, profesionistëve shëndetësor, personave me sëmundje kronike, mësimdhënësve, policisë, FSK-së, fillohet me vaksinimin e pjesës tjetër të popullatës ku do ta gjejnë vetën edhe gazetarët e tjerë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Albanian Post.

Sipas, MSH-së, për t’u vaksinuar gazetarët duhet të kenë sëmundje kronike.

“Ka gazetarë që janë vaksinuar edhe tani, të tillë që kanë ndonjë sëmundje kronike”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë prioritet janë 60 % i qytetarëve për t’u vaksinuar.

Në MSH kanë bërë të ditur se nga java tjetër fillon vaksinimi më masiv dhe do të jetë më dinamik “shumë më tepër qytetarë nga kategori të ndryshme do të mund të vaksinohen”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që vaksinimi i gazetarëve të jetë me prioritet të lartë.

“AGK më 6 dhe 14 prill ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave të cilat i ka pranuar Kosova. Kjo për faktin se gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave”, thuhet në përgjigjen e AGK-së.

AGK-ja e ka konsideruar se puna e gazetarëve është në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.

“E tërë veprimtaria e tyre është e shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit qysh prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”.

Kësaj kërkese të AGK-së, Ministria e Shëndetësisë iu është përgjigjur me 14 prill.

“Gazetarët vizuel nuk mund të punojnë nga shtëpia dhe janë në rrezik të lartë gjatë punës së përditshme edhe në turma të mëdha. Sipas planit të vaksinimit, gazetarët bëjnë pjesë në grupin e personave të cilët nuk mund të i shmangin kontaktit me popullatën. Varësisht nga dispozicioni i sasisë së vaksinave do të bëhet planifikimi i kohës së vaksinimit të grupeve të riskut, ku në kohë reale do të njoftoheni paraprakisht”, thuhet në përgjigjen e ministrisë drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

AGK sërish ka bërë kërkesë për njoftimin e planit të vaksinimit, por kësaj here nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“AGK-ja ka dërguar sërish kërkesë për tu njoftuar mbi planin e vaksinimit më 16 qershor, por që deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore