Lajme

Gazeta malazeze: Kompania serbe po importon kamionë ushtarakë nga Kina të maskuar si makineri ndërtimi


Pobjeda: Kamioni ushtarak i maskuar si makineri ndërtimi

Kompania serbe “Millennium Team” me pronarë Ivan Bosnjak e Stojan Vujko që janë njerëz besnik të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas mediumit malazez, Pobjeda, po importojnë në Serbi kamionë ushtarakë të maskuar si makineri ndërtimi përmes Portit të Barit në Mal të Zi.

Mediumi prestigjioz malazez, Pobjeda, shkruan se në javët e fundit në Portin e Barit në Mal të Zi janë ndaluar më shumë se 20 kamionë të importuar nga kompania serbe “Millennium Team”, me destinacion Serbinë, të cilat janë automjete ushtarake gjegjësisht automjete raketambajtëse, por që në Doganë janë deklaruar si makina ndërtimore.

Siç njofton Pobjeda, automjetet janë të lyera me ngjyrë të verdhë nga jashtë ndërsa pjesa e brendshme ka mbetur me ngjyra ushtarake.

Sipas mediumit malazez kompania serbe “Millennium Team” automjetet ushtarake i ka importuara nga Kina.

Kjo kompani serbe ka mohuar se automjetet janë të tipit ushtarak.

“Jemi në proces të blerjes dhe importit të makinerive ndërtimore dhe kamionëve nga Republika e Kinës për ndërtimin e Expo 2027. Pajisjet e përmendura nuk janë për përdorim ushtarak, por ekskluzivisht për përdorim civil”, ka qenë përgjigja e “Millennium Team” për Pobjed-an.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore