Shqipëria

Gara për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, publikohet lista e kandidatëve


Ministria e Brendshme ka bërë publike listën zyrtare me kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Aplikimet e përcjella janë: Adriatik Tafçiu, Altin Mena, Ardian Çipa, Gentjan Shehaj, Hajrulla Xhivini, Ibrahim Disha, Idajet Faskaj, Ilir Proda, Lutfi Minxhozi, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Sami Rasha, Shemsi Prençi dhe Skënder Hita.

Tanimë brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore.

Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.

Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare, ose në adresën elektronike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore