Kosova

Gani Dreshaj propozon Luan Krasniqin për ambasador të Kosovës në Gjermani


Ish-kampioni i boksit nga Kosova, Luan Krasniqi, është propozuar të bëhet ambasador i Kosovës në Gjermani.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Dreshaj, i ka propozuar Presidentes Vjosa Osmani që Krasniqi të emërohet ambasador në shtetin gjerman, por këtë sygjerim ai e ka publikuar vetëm në llogarinë e tij në Facebook.

“Diplomacia kosovare në Gjermani ka mbetur pa të zotin e shtëpisë. Largimi i Beqë Cufajt ka lënë boshllëk dhe mund të ketë pasoja. Puna e tij ishte tejet profesionale dhe e pandalshme.”

“Në këtë situatë, i propozoj presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, dhe kryediplomates Gërvalla që Luan Krasniqi të jetë ambasador i Kosovës në Gjermani”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.

Më tej, Dreshaj shprehet i bindur se Luani do ta përfaqësonte më së miri Kosovën në Gjermani, pasi që nuk i përket asnjë partie politike.

“Luani është i përgatitur profesionalisht dhe do ta kryente me nder e përkushtim këtë detyrë kaq të rëndësishme. Luan Krasniqi është përtej politikës, nuk përfaqëson asnjë parti, përfaqëson shqiptarinë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, ky vend që pretendohet për Luan Krasniqin, tri ditë më parë e ka dorëzuar ish-ambasadori, Beqë Cufaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore