Lajme

Gafa ‘Olimpike’


Tomas Bach

Tomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik gjatë një deklarate publike për Lojërat “Tokio 2020” bëri një gafë me përmasa “olimpike”. Ai iu referuar qytetarëve të Japonisë si “kinezë”.

“Synimi ynë i përbashkët janë Lojërat e sigurta”, tha ai në fillim të një takimi me kreun e komitetit organizues Tokyo 2020, Seiko Hashimoto dhe shefin ekzekutiv të tij, Toshiro Muto.

“Për të gjithë – për atletët, për të gjitha delegacionet, dhe më e rëndësishmja gjithashtu për popullin kinez … popullin japonez”, tha Bach.

Gabimi nuk u përsërit nga përkthyesit që gjendeshin në takim, por raportimet nga media japoneze flasin për një reagim të ashpër në mediat sociale.

Bach tha se Lojërat ishin “më të mirat që ishin organizuar ndonjëherë” megjithë sfidat e panumërta logjistike të paraqitura nga pandemia.

Ai shtoi se populli japonez mund të ketë besim në të gjitha përpjekjet që po ndërmerren për t’i bërë këto lojëra për ta të sigurta, me të gjitha kundërmasat më të rrepta COVID-19.

Bach, i cili u karantinua para disa kohësh në hotelin e tij, ka të ngjarë të zhvillojë një takim me kryeministrin japonez, Yoshihide Suga, të mërkurën dhe të vizitojë Hiroshima-n në fund të javës.

Situata shëndetësore në Tokio

Tokio hyri në lockdown-in e tij të katërt, të hënën e 12 korrikut.

Kufizimet, të cilat do të qëndrojnë deri më 22 gusht – një ose dy javë pas përfundimit të Lojërave Olimpike – kanë shkaktuar zemërim midis bizneseve që thonë se ata po luftojnë për të mbijetuar.

Zyrtarët po u kërkojnë njerëzve t’i shikojnë Lojërat në televizor për të kufizuar mundësitë që virusi të përhapet përmes njerëzve që udhëtojnë në vendet Olimpike.

“Ne do t’u kërkojmë njerëzve të mbështesin atletët nga shtëpia”, tha sekretari i kabinetit kryesor, Katsunobu Kato.

Tokio njoftoi 950 raste të reja të shtunën, pasi ekspertët paralajmëruan që varianti Delta, më i transmetueshëm po përhapet shpejt. Ndërsa shpërndarja e vaksinave të Japonisë ka marrë hov në javët e fundit, vetëm 17% e popullsisë është vaksinuar plotësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore