Kosova

Gabimi i Kurtit në matematikë bëhet lajm ndërkombëtar – “Politico”: “Uh-oh”


Albin Kurti

Huqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjidhjen e një problemi të thjeshtë matematikor për filloristët, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Prestigjozja “Politico” e cilësoi gafën e kreut të ekzekutivit kosovar “incident të algjebrës” ndërsa lajmi mban titullin “Kryeministri i Kosovës kërkon falje për ngatërrimin e enigmës matematikore të fëmijëve”.

Gjatë inaugurimit të shkollës fillore “Ali Hadri” në Podujevë, të mërkurën, kryeministri kosovar – i cili ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës – brenda një klase u përpoq të zgjidhte një problem matematikor, përkatësisht një ekuacion me vetëm një të panjohur (X).

Albin Kurti

Sigurisht, gabimi nuk kaloi pa u vënë re nga matematicientët, dhe jo vetëm. Ai arriti në përfundimin se X-i duhet të jetë 5. Dhe gaboi. Përgjigja e saktë e ekuacionit doli të jetë e thjeshtë X=0. Kurti pastaj u kërkoi falje nxënësve të klasës së 7-të të fillores, duke thënë se “nuk do të merrja notë kaluese”.

“Komentet e Kurtit erdhën pas një videoje virale të incidentit të algjebrës në mediat sociale. Kurti u kap në klip duke zgjidhur lehtësisht një ekuacion matematikor para një klase gjatë hapjes së një shkolle të re në Podujevë… Por kishte vetëm një proplem: Kurti kishte përgjigjen e gabuar. Uh-oh”.

Ndryshe, gabimi i kryeministrit të Kosovës shkaktoi polemika dhe tallje edhe në opinionit publik në vend. Disa e cilësuan “ekspozim të sofizmit” dhe “demistifikim të mitit” rreth kreut të ekzekutivit, kurse disa të tjerë konsideruan se ky rast zbuloi në thelb “paaftësinë e tij për të menduar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore