Kosova

Gabim trashanik i Kurtit që portretizoi BE-në si zë i Serbisë: Pse e bëri?


Albin Kurti

Një faturë të majme pagoi Kosova në Bruksel meqë nga Bashkimi Evropian u konsiderua si palë destruktive pasi refuzoi pranimin e propozimit të saj të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Ky mos-konstruktivitet i treguar më 14 shtator automatikisht u përkthye në dobësim të pozicionit negociator të Kosovës, pohojnë analistët politikë.

Pozicioni i Kosovës, sipas analistit politik, Visar Ymeri, është duke u dobësuar kryekëput për shkak të sjelljes së kryeministrit të Kosovës në dialog, dhe keqkuptimit bukur të thellë që kanë krerët institucionalë të tjerë, ndaj politikës së jashtme dhe procesit të dialogut veçanërisht.

“’Refuzimi’ që Kurti ua bën marrëveshjeve tashmë të nënshkruara dhe ratifikuara siç është ajo për Asociacionin e shndërron Kosovën në palë jo-kredibile. Po ashtu nga dje Kosova shihet si palë penguese e procesit të normalizimit. Kjo do të ketë pasoja të rënda për vendin tonë dhe të ardhmen tonë”, thekson për Albanian Post Ymeri.

Në anën tjetër për Afrim Kasollin, komentatorin politik, kualifikimi i Kosovës zyrtarisht nga BE-ja si palë përgjegjëse për stagnimin dhe dështimin e dialogut, padyshim se paraqet një dobësim të pozicionit negociator të Kosovës.

“Kategorizimi i BE-së ta quajmë kushtimisht si agjente e interesave të Serbisë në procesin e dialogut është qëndrim jo i pjekur politik dhe diplomatik. Madje ai bie në kundërshtim më traditën tonë politike të shtet-formimit. Ngase, ky i fundit u krijua  edhe falë bashkëpunimit dhe partneritetit më shtetet botës trans-atlantike. Të mendosh se mundesh të shkëputesh nga bota është marrëzi. Të përpiqesh të injorosh qëndrimet ndërkombëtare është dështim”, pohon për AP Kasolli.

Takimi i nëntë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi përfundoi pa sukses.

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell për këtë dështim fajësoi Kosovën, ndërsa Serbinë e cilësoi si “palë konstruktive” e cila ishte e “gatshme të pranoi propozimin e Unionit”.

Një shpjegim ndryshe të rrjedhës së takimit e dha Kurti.

Sipas tij lehtësuesit e bisedimeve kanë filluar të operojnë sipas qëndrimeve të Serbisë meqë “kushtëzimi i vjetër i Beogradit” për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së, prandaj një gjë e tillë për të është e papranueshme.

Kurti, deklaroi pas takimit në Bruksel se i vetmi që shkoi me propozim të shkruar në tavolinë ishte ai, por një ditë më vonë Kurti u përgënjeshtrua kur mediat publikuan dokument-propozimin e shkruar të Bashkimit Evropian.

Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti në takimin e lartë në kuadër të dialogut në Bruksel, 14 shtator 2023

Artikulimi i gënjeshtrave publikisht nga Kurti, sipas ish-bashkëpartiakut të tij, Ymerit, tregon një sjellje të papërgjegjshme si një burrështetas.

“Sjellja e djeshme e Kurtit në dhe pas takimit në Bruksel konsideroj që ka qenë absolutisht e pakuptimtë dhe vështirë e shpjegueshme. Në njërën anë Kurti që refuzoi një dokument i cili është goxha shumë në vijë me atë që ka kërkuar vetë Kurti në anën tjetër akuzoi ndërmjetësitë si të anshëm pa kurrfarë baze, duke gënjyer publikisht për zhvillimet e një procesi kaq serioz dhe me peshë siç është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja. Të gjitha këto po shndërrohen në fatura me kosto të lartë për Kosovën”, argumenton Ymeri.

Portretizimi i BE-së si e anshme në dialog nga ana e Kurtit, në anën tjetër beson ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, është në funksion të plotësimit të pasioneve të brendshme elektorale dhe zvarritjes së procesit kështu duke kundërshtuar vetveten meqë ishte vetë ai i cili u pajtua me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit ku as në nenet e as në pikat të aneksit nuk shkruan se pasi Serbia ta njoh Kosovën, kjo e fundit fillon zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Këtë fakt e pranoi edhe zëvendësi i tij Besinik Bislimi kur pohoi se pikërisht ky ishte një lëshim i madh nga pala kosovare. Po ashtu, Kurti është pajtuar se mbetet në diskrecionin e ndërmjetësuesit se cila temë fillon dhe zbatohet fillimisht”, shpjegon Kasolli.

Visar Ymeri dhe Afrim Kasolli

Po fajësimi i Miroslav Lajçak për dështimin e takimit?

Si Borrell ashtu edhe i deleguari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, përfaqësojnë BE-në, prandaj konsiderimi i tyre si jo-neutral, sipas Ymerit, nënkupton që vendet anëtare të BE-së, përshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga jashtë, po mbajnë anë.

Sipas Ymerit një deklaratë e tillë e Kurtit nuk është asgjë tjetër përpos një situatë imagjinare e tij, e cila as nuk qëndron e as nuk mund të jetë e vërtetë.

“Kjo nuk është hera e parë që Institucionet e Kosovës bëjnë gafa të tilla fëmijërore. Edhe vitin e kaluar kishin akuza të njëjta ndaj po të njëjtëve. Pse nuk po kërkojnë ndërrimin e tyre? Pra, Kurti thotë që ndërmjetësitë qartazi janë vendosur në anën e Serbisë dhe njëkohësisht kërkon rritje të intensitetit të dialogut nën ndërmjetësimin e njëjtë. Kjo s’ka asnjë logjikë. Është thjeshtë fajësim i paqëndrueshëm i të tjerëve për shfajësim të dështimeve të veta”.

Kurti, nën anën tjetër thotë Kasolli, nëse ka vërejtje për sjelljet jo të duhura dhe të padrejta të Lajçak-ut ndaj Kosovës duhet t’i adresojë ato pranë strukturave të BE-së në Bruksel dhe po ashtu të angazhohet të bashkëpunojë më shumë me shtetet e veçanta të Unionit nëpërmjet kanaleve diplomatike për të kërkuar zgjidhje për këtë problem.

“Kurti ta bashkërendojë aktivitetin e tij me diplomatët amerikanë, e jo nga një grandomani e pashoqë ta quaj naiv sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, apo të përfshihet në fushatat elektorale në zgjedhjet e brendshme në këto vende, e të shpenzojë kohë kotë nëpër forume pa ndonjë rëndësi të madhe për interesat shtetërore të Kosovës, vetëm sa për plotësuar pasionet e tij ideologjike sikur se ai në shtetin Helenik”.

Kasolli kujton edhe mbrojtjen që dikur Kurti ia kishte bërë diplomatit sllovak duke ia forcuar atij pozitën si emisar special për dialogun, vetëm për të kundërshtuar përfshirjen amerikane në proces.

“Sepse ajo ishte një kohë që megjithatë ekzistonte një tension ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit. Mbase, ky është edhe njëri nga gabimet strategjike të Kurtit. Sepse e mbronte Lajçak-un kur nuk duhej ta mbronte dhe e sulmon kur nuk duhet për ta sulmuar. Sepse ky i fundit tash ka edhe mbështetjen amerikane ngase këto dy vende e kane të nevojshme të demonstrojnë unitet transatlantik për shkak të luftës në Ukrainë”.

Vazhdojnë takimet “as ksi, as asi” në Bruksel: Historia e prioritetit të 7-të

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore