Stil

Fustani hakmarrës i Princeshës Diana po rikthehet


Ishte viti 1994.

Ajo verë ishte jashtëzakonisht e nxehtë në Britaninë e Madhe.

Ditët me diellin përvëlues ia linin vendin netëve të ngrohta.

Kur i erdhi fundi muajit qershor, presioni i të nxehtit nisi t’i shtonte dozat. Sikur donte të paralajmëronte se java e fundit e muajit do të ishte një javë shpërthyese.

Të premten e 24 qershorit, një stuhi jashtëzakonisht e fortë goditi juglindjen e Britanisë së Madhe, duke shpërndarë aq shumë polen sa shkaktoi një epidemi të papritur dhe jetëshkurtër të astmës.

Dy ditë më vonë, shtypi britanik dha lajmin se Princi Charles kishte zbuluar aksidentalisht tradhtinë e tij ndaj Princeshës Diana gjatë një dokumentari ITN.

Kur u pyet nëse i kishte qëndruar besnik gruas së tij, ai tundi kokën në shenjë pohimi dhe më pas shtoi “derisa u prish në mënyrë të pakthyeshme”.

Më 29 qershor, në të njëjtën ditë kur programi u transmetua për 13 milionë shikues në të gjithë vendin, Diana doli nga rrënojat emocionale për të marrë pjesë në një gala me një fustan magjepsës.

Që prej asaj kohe ai njihet thjesht si “fustani i hakmarrjes”.

I dizajnuar nga Christina Stambolian, ai fustan nuk ngjante me asnjë tjetër që Diana, apo ndonjë pjesëtare tjetër e familjes mbretërore, mund të kishte veshur ndonjëherë në publik.

“Diana donte të dukej një milion dollarëshe. Dhe e bëri”, ka thënë ish-stilistja e princeshës, Anna Harvey

Të nesërmen në mëngjes, fotot e veshjes së saj ndezëse u shpërndanë nëpër faqet e para të tabloideve britanike.

“Hakmarrje shik”, shkruante Sun. “Natën e kaluar Diana i tregoi Charles atë që i mungon”.

Thuajse 30 vjet më vonë, veshja – dhe momenti fuqizues që nënkupton atë – mbetet një nga momentet më të pashlyeshme të kulturës pop në histori.

Ka të ngjarë të fitojë një audiencë të re, falë sezonit të pestë të dramës historike të Netflix-it, “The Crown”. Do të transmetohet më 9 nëntor.

Aktorja Elizabeth Debicki që ka rolin e Dianës ka vënë në dukje fustanin e dizajnuar nga Stamboliane si çelës për të kuptuar karakterin e princeshës.

“Kjo provokoi diçka tek unë si aktore. Nuk mund ta shpjegoj me të vërtetë. Është shumë e pabesueshme që një fustan të përfaqësonte një moment në histori, ose që jeta e këtij njeriu të përfaqësonte kaq shumë dhe të bëhej kaq ikonike”.

Debicki, pasi u publikua lajmi për kastin e filmit, ka zbuluar se kurioziteti më i madh i njerëzve që e pyesnin ishte për fustanin ikonik. “A do ta veshësh fustanin e hakmarrjes? O Zot, duhet të veshësh fustanin e Hakmarrjes”.

Vendimi i Dianës për të veshur fustanin atë mbrëmje ishte me sa duket një vendim impulsiv.

Ai kishte qenë në dollapin e saj [për tre vite pasi i dukej “shumë i guximshëm” për ta veshur.

Teksa mund të ketë qenë një gjykim i menjëhershëm, fustani krijoi një trashëgimi që do të zgjaste për gati tre dekada dhe ndoshta përgjithmonë.

Ishte një moment autonomie, një rebelim kundër kodeve mbretërore të veshjes dhe nocioneve të imponuara të dëlirësisë dhe pajtueshmërisë.

Në vend që t’i nënshtrohej turpit apo përbuzjes publike, Diana paralajmëroi se nuk do të rrinte e heshtur.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore