Lajme

Fundosja e varkës në Kongo, regjistrohen 40 të vdekur dhe 167 të zhdukur


Disa nga 189 personat e shpëtuar pasi një varkë u fundos në Republikën Demokratike të Kongos kanë thënë se si arritën të mbijetonin.

“I gjithë trupi im ishte nën ujë, përveç kokës. Unë u ngjita pas një pjese druri të varkës derisa disa njerëz mbërritën me një kanoe për të më shpëtuar”, ka treguar Korami Mopole.

Deri më tani janë gjetur më shumë se 40 trupa, teksa ekipet e shpëtimit po kërkojnë për 167 persona ende të zhdukur.

Raportohet se varka ishte e mbingarkuar.

Kishte më shumë se 300 veta në bord dhe ngarkesë ndërsa udhëtonte përgjatë lumit Kongo.

Një tjetër i mbijetuar i tragjedisë, Michael Busakasa, ka treguar se pak pasi anija u largua nga porti në qytetin Mbandaka të premten në mbrëmje, ekuipazhi vuri re se pesha ishte shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.

Ata filluan të lëviznin thasët e çimentos për ta balancuar atë.

Por kjo nuk funksionoi.

Më pas u hoq një kanoe që mbante varka dhe “menjëherë anija filloi të fundosej”.

Varkat janë një mënyrë e zakonshme transporti në Republikën Demokratike të Kongos për shkak të mungesës së rrugëve.

Megjithatë, aksidentet me varka janë të shpeshta për shkak të mbingarkesës, mungesës së mirëmbajtjes dhe udhëtimit gjatë natës.

Shumë pasagjerë gjithashtu nuk veshin jelek shpëtimi.

Sipas zyrtarëve, anija po lundronte natën në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Udhëheqësi i shquar i opozitës dhe kandidati presidencial në zgjedhjet e dhjetorit, Moise Katumbi, ka thënë se ishte i pikëlluar nga kjo tragjedi.

Ai ka thënë se ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e qeverisë, e cila toleron lundrimin brenda natës të varkave të rrënuara dhe të mbingarkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore