Lajme

Fundosja e varkës me emigrantë/ Mes 27 të mbyturve, tre fëmijë dhe gra shtatzëna


Gra shtatzëna dhe tre fëmijë ishin në mesin e 27 personave, kryesisht kurdë nga Iraku ose Irani, të cilët u mbytën, teksa përpiqeshin të kalonin Kanalin me një varkë, kanë thënë autoritetet franceze.

Dy të mbijetuar meshkuj, një irakian dhe një somalez, po trajtohen për hipotermi në një spital në Calais.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të shpalosin “të gjitha opsionet në tryezë” për të ndaluar emigrantët të kalojnë Kanalin Anglez, pasi 31 persona u mbytën të mërkurën.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, thanë se bandat e trafikimit po rrezikonin jetën pas tragjedisë më të keqe të regjistruar të emigrantëve në Kanal.

Katër persona janë arrestuar në lidhje me kalimin fatal.

“Pesë gra dhe një vajzë ishin në mesin e të vdekurve”, tha ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin.

Darmanin po ashtu tha se dy persona ishin shpëtuar dhe një ishte zhdukur.

Boris Johnson tha se ishte “i tmerruar” nga tragjedia, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të linte “asnjë gur pa lëvizur” për të ndaluar bandat e trafikimit të qenieve njerëzore.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson

Alarmi u ngrit të mërkurën, pasi një ekuipazh i një anije peshkimi pikasi disa njerëz në brigjet e Francës.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin tha se kjo ishte humbja më e madhe e jetëve në Kanal që kur filloi mbledhjen e të dhënave në 2014.

Kryeministri britanik tha të mërkurën se, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kishin rënë dakord për të bërë më shumë, kishte pasur “vështirësi” për t’i bindur francezët “të bënin gjërat në një mënyrë që ne mendojmë se situata e meriton”.

Duke folur pas një takimi urgjent të qeverisë të mërkurën, Johnson tha se ishte e qartë se përpjekjet franceze për të ndaluar largimin e anijeve me emigrantë “nuk kanë qenë të mjaftueshme”.

Ai tha se shpresonte që francezët do ta “pranonin” një ofertë të rinovuar të patrullimeve të përbashkëta përgjatë bregut të Kanalit Francez.

Presidenti francez, Emmanuel Macron

Ndërkohë, zyrtarët francezë thanë se Macron i kishte thënë Johnson se “ai priste që britanikët të bashkëpunonin plotësisht dhe se ata abstenojnë nga instrumentalizimi i një situate tragjike për qëllime politike”.

Mbretëria e Bashkuar është zotuar t’i paguajë Francës 62.7 milionë euro gjatë 2021-2022 për të ndihmuar në rritjen e patrullave të policisë përgjatë vijës së saj bregdetare, për të rritur mbikëqyrjen ajrore dhe për të rritur infrastrukturën e sigurisë në porte.

Të hënën, numri i emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije këtë vit tejkaloi më shumë se trefishin e totalit të vitit 2020.

Më shumë se 1 mijë emigrantë mbërritën në Britani brenda një dite në fillim të këtij muaji – një rekord i ri.

Ngushtica e Dover-it është pika më e ngarkuar e transportit detar në botë dhe ka marrë shumë jetë njerëzish që përpiqeshin të kalonin në Britani me gomone.

Në fillim të kësaj jave, Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel e përshkroi numrin e emigrantëve të paligjshëm që largohen nga Franca si “të papranueshëm”.

Ajo tha se projektligji i qeverisë për kombësinë dhe kufijtë ishte “zgjidhja afatgjatë” për trajtimin e çështjes “në krye të një sërë pune operative dhe diplomatike”.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore