Lajme

Fundoset restoranti lundrues i Hong Kong-ut


Në Hong Kong, restoranti i veçantë “Jumbo” është fundosur në Detin e Kinës Jugore.

Përmes një deklarate, pronarët e tij kanë bërë me dije se restoranti kishte hasur në kushte të pafavorshme moti kur përshkonte Ishujt Paracel drejt një vendi të pazbuluar.

“Thellësia e ujit në vendngjarje është mbi një mijë metra, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë kryerjen e shpëtimit”, ka vijuar deklarata.

Sakaq, asnjë anëtar i ekuipazhit nuk është lënduar.

I hapur në vitin 1976 nga i ndjeri Stanley Ho Hung-sun, restoranti është bërë një atraksion popullor turistik në ish-koloninë britanike gjatë katër dekadave të fundit.

I njohur për dekorimet elegante tradicionale kineze dhe pjatat e njohura të ushqimeve të detit, restoranti prej gati 80 metrash është shfaqur vazhdimisht në filma gjatë viteve, si filmi i Jackie Chan i vitit 1985, “The Protector”.

Të ftuarit e tij të profilit të lartë përfshijnë edhe Mbretëreshën Elizabeth II dhe aktorin Tom Cruise.

Pandemia i dha restorantit një goditje të madhe financiare.

Ai u mbyll në vitin 2020, për shkak të pandemisë dhe pushoi nga puna të gjithë stafin.

Sipas Aberdeen Restaurant Enterprises, ai ishte bërë një barrë financiare për aksionarët, me miliona dollarë të shpenzuar për inspektimin dhe mirëmbajtjen e tij, edhe pse nuk ishte në funksion.

Mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që një maune kuzhine prej 30 metrash e lidhur me restorantin të fundoset në fillim të këtij muaji.

Jo më larg se të martën e kaluar, restoranti u zhvendos në një vend të pazbuluar.

Përpara nisjes, kompania ka njoftuar se anija ishte inspektuar nga inxhinierë detarë dhe se ishin marrë të gjitha miratimet përkatëse.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore