Lajme

FSK-ja trajnim me ushtrinë turke për ngritjen e kapaciteteve


Foto nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka kryer një trajnim të premten me ushtrinë turke, i cili është thënë se ka pasur për qëllim ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media teksa ky s’është trajnimi i parë i FSK-së me ushtrinë turke.

“Trajnimi i realizuar kishte për qellim ngritjen e kapaciteteve ushtarake në nivel të regjimentit dhe rritjen e ndërveprushmerisë me partnerët në fushën e mbështetjes me zjarr për këmbësori të lehtë”, thuhet në komunikatë.

Edhe komandanti i kontingjentit turk Sabri Gokhan Karamursel, ishte ndarë i kënaqur me bashkëpunimin dhe mundësinë për të ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.

“Ndërsa komandanti i R3K, nënkolonel Ilir Beqiri falënderoi kontingjentin turk për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në, duke shpresuar që  ky bashkëpunim  do të vazhdoi edhe në  trajnime dhe bashkëpunime tjera të përbashkëta”.

Më 7 dhjetor, në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u shtua edhe sistemi turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara në një distancë deri në 4 kilometra.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në tetor kishte pritur në ceremoni solemne në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Türkiye-s, Yaşar Güler, për vizitë zyrtare në Kosovë.

Maqedonci, kishte thënë se Turqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës. Ai tha se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Türkiye-s është ndërtuar mbi shtylla të forta të parimeve dhe besimit reciprok dhe si i tillë duhet të vazhdojë të thellohet.

Pas takimit, dy ministrat kishin mbajtur konferencë për media, ku ishin vlerësuar lartë marrëdhëniet midis dy shteteve në fushën e mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore