Kosova

FSK-ja realizon me sukses objektivat e trajnimit “Efes 24” në Turqi


Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), është duke realizuar trajnimin “Efes 24”, në kuadër të ushtrimeve në Izmir të Turqisë.

Lajmin e ka bërë të ditur FSK-ja përmes një komunikate për media.

“Kontingjenti i FSK-së po paraqet përgatitje të lartë profesionale gjatë realizimit të ushtrimit ndërkombëtar “Efes 24” në Izmir të Republikës së Turqisë”.

Nga FSK-ja, është sqaruar se çfarë përfshijnë këto ushtrime.

“Ushtrimi përfshin grupe misionesh, ku pjesëmarrësit veprojnë si pjesë e një Task Force të Përbashkët të Kombinuar (CJTF), dhe objektivi kryesor i ushtrimit është shkëmbimi i ekspertizës ushtarake, përmirësimi i ndërveprimit dhe mirëkuptimit midis vendeve partnere dhe agjencive që janë pjesë e ushtrimit”, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Ndërkaq, është theksuar se objektivat e trajnimit nga kontingjenti i FSK-së, janë realizuar me sukses.

“Të cilat ishin të planifikuara për fazën e parë, për të vazhduar me fazën e dytë në të cilën parashihen operacione më të ndërlikuara me forcat ajrore dhe në bashkëveprim me forcat komando turke”.

Më 11 maj, Forca e Sigurisë së Kosovës, gjegjësisht Kontingjenti nga Regjimenti i tretë i Këmbësorisë, kishte njoftuar se do të jetë pjesëmarrës në ushtrimin ndërkombëtar “Efes 2024” që po organizohet në Turqi

Nëpërmjet një komunikate për media, FSK, njoftoi se ushtrimi në fjalë ka për qëllim prezantimin e aftësive dhe kapaciteteve të forcave pjesëmarrëse të shteteve të ndryshme të koordinuara dhe harmonizuara për misione të përbashkëta paqësore dhe ndërveprueshmërinë në mes tyre.

FSK javë më parë kishte njoftuar se në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), është përmbyllur “Kursi Bazë për Snajper”, në të cilin u certifikuan snajperistët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore