Sport

FSHF rinovon kontratën me kompaninë Macron edhe për gjashtë vite


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe kompania Macron kanë nënshkruar marrëveshjen e sponsorizimit për periudhën 2022-2027, duke rinovuar mbështetjen e këtij sponsori teknik për Kombëtaren shqiptare të futbollit që prej vitit 2016.

Kompania Macron ka sjellë për herë të parë në historinë e kuqezinjve fanellat e personalizuara, me të cilat Kombëtarja shqiptare u prezantua në finalet e Kampionatit Evropian “Francë 2016”.

Nga kjo marrëveshje e rinovuar, FSHF-ja do të përfitojë 4 milionë euro për 6 vitet e ardhshme, si edhe me kontratën e re, Macron do të mbështesë me uniforma falas të gjithë individët që luajnë futboll në Shqipëri, përmes projektit “Uniforma ime”.

Në një ceremoni të zhvilluar të enjten e 9 qershorit në ambientet e stadiumit “Air Albania” ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, CEO i kompanisë “Macron”, z. Gianluca Pavanello, si dhe tre futbollistët e Kombëtares, Myrto Uzuni, Bekim Balaj dhe Enea Mihaj.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e tij, pasi firmosi rinovimin e marrëveshjes me CEO-n e Macron-it, shprehu kënaqësinë e tij për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi me kompaninë “Macron”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se kjo kompani i ka sjellë jo vetëm fat FSHF-së, por ka mbështetur edhe me veshje dhe financiarisht institucionin e futbollit shqiptar, teksa do të vazhdojë ta mbështesë edhe në gjashtë vitet e ardhshme.

Në fund, Presidenti Duka bëri thirrje edhe për të gjithë tifozët e Kombëtares që ta mbështesin skuadrën në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit, ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore