Kosova

“Frikësim dhe hakmarrje e pushtetit”: AGK-ja dënon presionin ndaj gazetarit Buzhala pas publikimit të audio-incizimeve 


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar të mërkurën presionin ndaj gazetarit të mediumit “Nacionale”, Berat Buzhala, pas publikimit të audio-incizimeve ku dëgjohet kryedeputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Në reagimin e AGK-së thuhet se publikimi i një dokumenti të brendshëm të Administratës Tatimore të Kosovës me subjekt gazetarin dhe pronarin e mediumit në fjalë, me të cilin e akuzon për shmangie tatimi në vlerë prej 71 mijë Euro, përben “presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrjeje të partisë në pushtet”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh shumë shqetësues faktin që një dokument i tillë i ATK-së, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës, është në posedim dhe publikohet nga një deputet i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në audio-incizimet e publikuara nga “Nacionale” flitet për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radojiçiç, për disa nga çështjet politike në Kosovë.

Në pjesën e tretë të audio-incizimeve të publikuara ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, kryedeputetja e partisë në pushtet ankohet për një numër politikanësh kosovarë.

Kusari-Lila ka përdorur gjuhë shpërfillëse ndaj deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës – Uran Ismaili, Abelard Tahiri dhe Bekim Haxhiu. Fillimisht, deputetin Ismalili e ka quajtur “idiot patetik”, kurse më pas Simiçit i tregonte se deputeti Tahiri posedon “orë të 30 mijë eurove”.

Teksa protagonistët e audio-incizimeve flasin për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, deputetja Kusari-Lila e pyet në mënyrë retorike Simiçin se “a e di bre kush është Bekim Haxhiu?”, ngase ky i fundit ka qenë ndër kritikuesit më të mëdhenjë të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Në audio-incizimet e publikuara, përveçse akuzohet ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për “fryerje të listave” të veteranëve, kryedeputetja i drejtohet me shpërfillje e jo me titullin “Hero i Kosovës” zyrtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i vrarë në vitin 2011 nga strukturat paralele serbe në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore