Lajme

“Freedom House” për Shqipërinë: Korrupsioni dhe krimi i organizuar, probleme serioze


“Freedom House” – organizata me qendër në Washington – ka publikuar raportin vjetor sa i takon lirisë globale.

Shqipëria në indeksin e “Lirisë Globale” është vlerësuar më 68 pikë nga 100 pikë maksimale.

Kjo duke shënuar përparim me një pikë në raport me vlerësimin e vitit të kaluar.

Vendi sërish konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes, dhe pavarësisht arritjeve mbetet “pjesërisht i lirë”.

“Shqipëria ka një rekord zgjedhjesh konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve kryesore”, shkruhet në raport.

Për “Freedom House”, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, pavarësisht përpjekjeve të fundit të qeverisë për t’i trajtuar ato, dhe ndërthurja e interesave të fuqishme të biznesit, politikës dhe medias pengon zhvillimin e organeve realisht të pavarura të lajmeve.

Raporti i plotë narrativ ende nuk është publikuar, por organizata mediatike “Zëri i Amerikës” ka zhvilluar një bisedë me eksperten e “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi.

Ajo ka theksuar se, si përmirësim procesi i vetting-ut, i cili, sipas saj, “ka filluar të shënojë përparim duke e detyruar Shqipërinë që ta mënjanojë korrupsionin në fushën e drejtësisë”.

Sipas saj, kjo do të thotë se në Shqipëri gjykatat tani janë në pozitë më të mirë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe janë më efikase.

“Kjo do të thotë se, në Shqipëri po përmirësohet dukshëm qasja e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe ky përparim duhet të vlerësohet”.

Karppi thotë se, mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim në Shqipëri.

Ajo përmendi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, gjatë të cilave, sipas saj, “nuk është krijuar një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta”.

“Përgjithësisht Shqipëria ka përparuar këtë vit duke u dhënë mundësi qytetarëve që serish të marrin pjesë në proceset demokratike duke iu përmbajtur angazhimeve për reforma të marra para Bashkimit Evropian”.

Raporti që vlerëson përparimin e 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar tek vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si, “një situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.

Sipas organizatës “Freedom House”, të drejtat politike kanë shënuar rënie për të 18 vite me radhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore