Lajme

Francë: Sërish revolucion


Franca, siç e dimë, është vendi i Revolucionit. Ai i Jakobinëve ishte revolucioni që ndryshoi një botë të tërë. Siç thuhet, asgjë nuk qe më si më parë. Përshtypja është se vitet e fundit në Francë ka nisur një proces revolucionar që mund të ndryshojë tërësisht fytyrën e politikës.

Prej dy mandatesh dy partitë historike të Republikës janë zhdukur nga skena politike: partia goliste e qendrës së djathtë dhe ajo Socialiste e majtë. Një lloj fenomeni sizmik që e bënte të qartë shkëputjen midis një vendi në krizë nga tensionet sociale, fetare, madje edhe etnike dhe një sistemi politik tashmë të konsideruar të largët, joefikas dhe auto referencial.

Pjesa më e madhe e elektoratit të dy partive të mëdha ka mbetur si e ngirë në atë abstenim që ndikoi qartë në zgjedhjet e fundit, duke qëndruar në pragun prej 28 për qind, sipas shifrave të përditësuara të “Le Monde”.

Hapësira e mbetur politike u mbush nga Emmanuel Macron, një i ri, teknik, me një të kaluar në kompanitë e mëdha ndërkombëtare financiare dhe në komisionet teknike të pallateve të pushtetit francez.

Njeri me shumë njohuri teknike, por pa parti të fortë në terren dhe ideologji të qartë referimi. Sigurisht, nëse do të duam ta pozicionojmë Macron-in në skenarin politik francez, fare mirë mund ta vendosim në qendër, në gjysmë të rrugës midis centrizmit golist dhe socializmit pragmatik të Francois Mitterand-it.

Në anën tjetër të betejës presidenciale ishte “Rassemblement National” (deri në 2018 Fronti Kombëtar) i Marine Le Pen. I trashëguar nga babai, është parti neofashiste, e lidhur me komplotet më të dhunshme dhe më të errëta subversive që ishin në bazë të represionit francez ndaj lëvizjes çlirimtare algjeriane.

Le Pen është përpjekur, veçanërisht në këto zgjedhje të fundit, të çlirohet nga trashëgimia e të atit që e çoi lëvizjen e saj në margjinat e politikës franceze. Ajo shfaqi një fytyrë më të qetë në afishimet elektorale, të shoqëruar vetëm me emrin e saj (Marine) duke lënë jashtë mbiemrin. Asnjë ngjyrë, asnjë logo, asnjë figurë që kujton të kaluarën e saj të turbullt nacionaliste. “As djathtas, as majtas”, e sidomos “as fasho”, ka qenë slogani i fushatës së saj elektorale.

Por, as kjo nuk mjaftoi! Urrejtja e saj kundër të huajve dhe myslimanëve në veçanti, në një vend historikisht multietnik dhe multikulturor, mungesa e besueshmërisë në aftësitë e saj për të zbatuar politika konkrete ekonomike dhe sociale, së bashku me lidhjet (ideologjike, politike dhe financiare) me presidentin rus Vladimir Putin nuk e lejuan të përfundonte me sukses operacion e grimit politik.

Liderja e së djathtës donte të kryente një operacion transformimi për Frontin Kombëtar, duke i dhënë jetë një partie populiste më moderne, mjaftueshëm për t’u konsideruar e aftë për të hyrë në dhomat e Elysee-së. Por efekti i vetëm i këtij manipulimi qe një hemorragjie votash ndaj Eric Zemmour, një gazetar dhe eseist i ekstremit të djathtë që mblodhi tonet dhe sloganet ideologjike të racizmit, ksenofobisë dhe neofashizmit që Le Pen ishte përpjekur të fuste nën tapetin e fushatës së saj elektorale.

Konkluzioni qe fitorja e Emmanuel Macron me një diferencë edhe më të madhe se sa pritej, duke arritur të marrë shumë vota mes atyre që, megjithëse nuk e donin dhe janë të pakënaqur nga politikat e tij, donin të pengonin kalimin e Le Pen në Elysee. Struktura institucionale me sistemin zgjedhor me dy raunde e ndihmoi të vepronte si barrierë për të djathtën ekstreme. Dhe pikërisht këtyre votuesve Macron u drejtoi falënderimet e tij në fjalimin e fitores.

Tani, në funksion të zgjedhjeve legjislative dhe formimit të qeverisë së re, Macron, i cili nuk ka një parti të organizuar, do të duhet të jetë në gjendje të menaxhojë marrëdhëniet me partitë e qendrës së majtë, dhe mbi të gjitha të arrijë të kaptojë konsensusin e asaj pjese të opozitës të strehuar në abstenim, ose që ka marrë rrugën e së majtës ekstreme, apo akoma më tepër të rinisë ku ikja nga vota prek 40% të saj. Zemërimi social dhe populizmi janë të pranishëm dhe Marine Le Pen tashmë premton betejë në zgjedhjet e qershorit. Gjetja e një maxhorance në parlament pas zgjedhjeve do të jetë sfida e parë e Macron-it.

Franca që votoi për Macron është ajo që jeton në qytete të mëdha, në zonat me mirëqenien më të madhe, që ka studiuar, flet gjuhë të huaja dhe e konsideron Evropën të ardhmen e saj. Janë ata që e ndjejnë veten evropianë dhe e dinë që e ardhmja e tyre është në Evropë, dhe që nuk donin fitoren e Putin-it. Por ka edhe një Francë që jeton në periferitë e qyteteve të mëdha, që ndihet e harruar apo e tradhtuar nga Evropa, votën e të cilëve Macron nuk e mori.

Konfirmimi i Macron si president u prit me një ndjenjë lehtësimi nga të gjitha qeveritë perëndimore. Franca ka qenë gjithmonë, së bashku me Gjermaninë, një lokomotivë politike e Bashkimit Evropian dhe aktualisht mban edhe presidencën aktuale. Është një nga vendet e G7, fuqi bërthamore dhe një nga anëtarët e përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB-së.

Në mes të një lufte si ajo në Ukrainë, e cila kërkon çdo ditë zgjedhje unike politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike, një Le Pen, dhe sidomos një Le Pen e lidhur ngushtë ideologjikisht dhe financiarisht me Putin-in, në Elysee do të kishte përfaqësuar një hallkë të dobët dhe kërcënim serioz në unitetin politik të Unionit.

Dhe pikërisht Evropa ka qenë në qendër të fushatës elektorale të Macron duke vënë në kontrast strategjinë e një France evropiane me atë sovrane të propozuar nga kundërshtarja e tij.

Mund të mendohet se afirmimi i dytë elektoral është rezultati pak a shumë i rastësishëm i dezintegrimit politik që ndodhi në vend. Përballja me një kandidate si Le Pen dhe rreziku i mundshëm i rolit të saj në Elysee, e bëri me shumë gjasë më të lehtë fitoren.

Po sikur rezultati i presidencialeve francezë të ishte një parathënie e së ardhmes politike që na pret? Partitë e vjetra të bazuara në një ideologji dhe një bazë shoqërore të paracaktuar mund të zëvendësohen nga parti të reja ndërklasore (prandaj më shumë aderuese në shoqëritë likuide në të cilat jetojmë tashmë), të udhëhequra nga teknikë pragmatikë gjithnjë e më pak politikë në kuptimin historik me të cilin jemi mësuar deri tani.

Nuk është rastësi që Macron është i lidhur ngushtë me një teknik të madh në botën financiare ndërkombëtare, siç është kryeministri italian Mario Draghi, i cili drejton një qeveri të përbërë nga parti me orientime politike që janë të kundërta.

Një e ardhme e politikanëve pragmatikë me një program të ngjashëm, i projektuar në dimension evropian dhe i lidhur me strategjitë e Bashkimit Evropian. Partitë Liberal Demokratike me një kundërshtar të vetëm: populistët, sovranët dhe ekstremistët.

Ndoshta ky është revolucioni i ri francez. Dhe ai, ndërkaq, arriti të marrë Bastillë-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore