Lajme

Fotografitë që hedhin më shumë dritë mbi “Natën e Xhamave të Thyer”


Imazhe të tmerrshme, të papara më parë.

Janë nga masakra e “Natës së Xhamave të Thyer” të vitit 1938 kundër hebrenjve gjermanë dhe austriakë.

Ato janë shfaqur në një koleksion fotografish të dhuruar për memorialin Yad Vashem të Izraelit.

Një tregon një turmë burrash dhe grash gjermanë të qeshur, të veshur mirë, që qëndrojnë teksa një oficer nazist thyen një vitrinë dyqani.

Kurse një tjetër imazh tregon një oficer nazist duke hedhur benzinë ​​mbi stolat e një sinagoge para se ajo të digjet.

Yad Vashem, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit, ka publikuar fotografitë në 84-vjetorin e sulmit të nëntorit të njohur gjithashtu si Kristallnacht.

Turma gjermanësh dhe austriake sulmuan, plaçkitën dhe dogjën dyqane dhe shtëpi hebreje, shkatërruan 1 mijë e 400 sinagoga, vranë 92 hebrenj dhe dërguan 30 mijë të tjerë në kampet e përqendrimit.

Gjerësisht, dhuna është konsideruar si pikënisje për Holokaustin, në të cilin Gjermania naziste vrau gjashtë milionë hebrenj.

Jonathan Matthews, kreu i arkivit fotografik të Yad Vashem, ka treguar se fotografitë rrëzojnë një mit nazist se sulmet ishin “një shpërthim spontan dhune” dhe jo një masakër e orkestruar nga shteti.

Zjarrfikësit, oficerët e policisë speciale dhe anëtarët e publikut të gjerë shihen të gjithë nëpër foto.

Vetë fotografët ishin pjesë e pandashme e ngjarjeve.

Sipas Matthews, këto ishin fotot e para që ai ishte në dijeni që përshkruanin veprime që ndodhin brenda, pasi “shumica e imazheve të ‘Natës së Xhamave të Thyer’ janë imazhe nga jashtë”.

Në përgjithësi, fotot “japin një imazh shumë më intim të asaj që ndodh”.

Ato janë realizuar nga fotografë nazistë gjatë sulmit në qytetin e Nurembergut dhe qytetin e afërt të Fuerth.

Por përfunduan në zotërimin e një ushtaraku hebre amerikan, i cili shërbeu në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kështu, pasardhësit e tij ia kanë dhuruar albumin Yad Vashem si pjesë e përpjekjes së institucionit për të mbledhur objektet e kohës së Holokaustit të mbajtura nga të mbijetuarit dhe familjet e tyre.

Fotot, sipas Yad Vashem, ndihmojnë në demonstrimin se si publiku gjerman ishte në dijeni të asaj që po ndodhte dhe se dhuna ishte pjesë e një sulmi të koordinuar me përpikëri të kryer nga autoritetet naziste.

Kryetari Dani Dayan ka treguar se fotot “do të shërbejnë si dëshmitarë të përjetshëm shumë kohë pasi të mbijetuarit nuk janë më për të dëshmuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore