Sport

Formacionet e mundshme mes Inter-it dhe Barcelonës, Asllani pritet të jetë titullar


Inter-i dhe Barcelona do të përballen sonte (e marte) në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Për dyja ekipet kjo përballje do të jetë shumë e rëndësishme, pasi me gjasë do ta përcaktojë se cila nga to do ta kalojë fazën e grupeve.

Kjo pasi që si italianët, ashtu edhe spanjollët e kanë humbur nga një ndeshje ne Bayern Munich-un, andaj me gjasë bavarezët do të vazhdojnë tutje, pasi që kanë dy ndeshje radhazi me “autsajderin” e këtij grupi, Viktoria Plzen.

Sikur Inter, ashtu edhe Barcelona kanë nga tre pikë në dy ndeshjet e para, andaj dy përballjet e radhës mes tyre do të jenë vendimtare për vendin e dytë në grup.

Të dy ekipet kanë probleme me mungesa të shumta për duelin e sotëm që do të zhvillohet në “San Siro”, për këto mungesa mund të jenë fatsjellëse për futbollistin e kombëtares shqiptare, Kristjan Asllanin.

Me dëmtimin e Marcelo Brozovic, trajneri i Inter-it, Simone Inzaghi, me shumë gjasë do ta hedhë nga minuta e parë Asllanin.

Mesfushori kuqezi ishte titullar edhe në duelin e fundit në Serie A ndaj Romës, andaj edhe sonte pritet që të jetë në formacionin e parë ndaj Barcelonës.

Që prej se u transferua nga Empoli gjatë kësaj vere, Kristjani pati shumë pak minuta në dispozicion me zikaltrit, pasi që luan në të njëjtin pozicion me Brozovic-in.

Edhe vetë trajneri i Inter-it, Inzaghi, kishte deklaruar se Asllani do të rritet në krah të Brozovic-it dhe do të jetë një zëvendësues i tij.

Pra, duket se Inzaghi do t’ia besojë vendin e titullarit talentit shqiptar, i cili duhet t’i tregojë vlerat e tij në këtë ndeshje të rëndësishme.

Formacionet e mundshme:

Inter (3-5-2): Onana, Skriniar, Acerbi, Bastoni, Gosens, Calhanouglu, Asllani, Barella, Dumfries, Martinez, Dzeko.

Barcelona (4-3-3): Ter Stegen, Alonso, Garcia, Christensen, Balde, Pedri, Busquets, Kessie, Dembele, Raphinha, Lewandowski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore