Lajme

Ford-i Escort i Princeshës Diana arrin 850 mijë dollarë në ankand


Makina Ford Escort që drejtohej nga Princesha Diana arriti në 851 mijë e 70 dollarë në një ankand të mbajtur në Silverstone të Britanisë së Madhe.

Sipas shtëpisë së ankandeve, kjo ka qenë makina e fundit e Princeshës së Uellsit, midis viteve 1985 dhe 1988.

Ajo është parë shpesh duke drejtuar makinën rreth Chelsea dhe Kensington dhe ka kaluar 6 mijë e 800 milje në të përpara se ta kthente te Ford-i.

Zakonisht ky model makine lyhej me të bardhë, por roja e sigurisë së  familjes mbretërore kërkoi që të lyhej me ngjyrë të zezë “për maturi”.

Që princesha të drejtonte automjetin ishte “një zgjedhje shumë e guximshme”, ka thënë Arwel Richards, specialist i makinave klasike.

Javën e ardhshme bëhen 25 vjet që kur Princesha Diana ka ndërruar jetë, në moshën 36-vjeçare.

Asokohe, limuzina në të cilën ajo ishte pasagjere u rrëzua në një tunel të Parisit, teksa u largua me shpejtësi nga paparacët që e ndiqnin me motoçikleta.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore