Financa

Forcimi i dollarit godet linjat ajrore teksa kostot rriten


Forcimi i dollarit amerikan po ushtron presion mbi bilancet e brishta të linjave ajrore.

Ai ka rritur koston e gjithçkaje, nga karburanti i përdorur për të furnizuar avionët e deri te vetë avionët.

Kjo valë ka bërë që monedhat nga paundi në jen të bien këtë vit dhe indeksi i dollarit amerikan kohët e fundit është tregtuar afër niveleve më të larta të 20 viteve.

E gjitha vjen si një sfidë e re për linjat ajrore ndërkombëtare që po rikuperohen nga pandemia, pasi ato rrisin të ardhurat në monedhat vendase, por paguajnë një pjesë të madhe të kostove të tyre në dollarë.

“Një dollar i fortë është një sfidë e vërtetë për industrinë e linjave ajrore në përgjithësi, sikur të mos kishim mjaft sfida tashmë, me COVID-in, Ukrainën dhe çmimin e naftës”, ka thënë shefi ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary.

Goditja pritet të prekë edhe pasagjerët pasi transportuesit përpiqen të kalojnë kostot në rritje tek udhëtarët përmes çmimeve të biletave, të cilat janë rritur pas dy vitesh kufizime kufitare.

Paçka se shumica e linjave ajrore kanë mbrojtje të monedhës në vend që ndihmon në kompensimin e ndikimit, kostot në rritje i lënë shumë drejtues të linjave ajrore me llogaritje të vështira se sa avionë do të nisin këtë dimër.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror parashikon një humbje prej 10 miliardë dollarë këtë vit, duke sjellë humbjet neto gjatë tre viteve të fundit në 190 miliardë dollarë.

Vetëm linjat ajrore amerikane parashikohet të kenë fitim këtë vit.

Kostot tipike operative të paguara në dollarë përfshijnë karburantin e avionëve, mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve, të cilët së bashku shtojnë rreth 40 për qind të daljeve të linjave ajrore.

Shpenzimet kapitale të linjave ajrore janë gjithashtu në dollarë.

Presionet në rritje nxitën tre bosët këtë javë të kritikojnë qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për politikat ekonomike që e kanë çuar paundin të bjerë në një rekord të ulët kundrejt dollarit.

Shai Weiss, shefi ekzekutiv i Virgin Atlantic, i cili ka rreth 60 për qind të kostove të tij në dollarë, ka thënë se qeveria duhet të konsiderojë ndryshimin e kursit të politikave fiskale.

Edhe Willie Walsh, ish-kreu i British Airways, i cili tani drejton Iata-n, ka thënë se vendimet e Mbretërisë së Bashkuar do të kishin “një ndikim masiv te kompanitë”.

Megjithatë, rritja e dollarit po ndihet në të gjithë botën, pasi është forcuar thuajse ndaj çdo monedhe të G20-ës këtë vit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore