Lajme

Lviv-i goditet nga një tjetër sulm me raketa


Kreu i administratës ushtarake rajonale të Lviv-it, Maxim Kozitsky, deklaroi se trupat ruse filluan një tjetër sulm me raketa pranë Lviv-it të shtunën në mbrëmje.

Lajmin e bën të ditur agjencia vendase e lajmeve “Interfax”.

“Një tjetër goditje afër Lviv-it 26.03.2022 në orën 18:55. Tre shpërthime të tjera të fuqishme. Vazhdon alarmi për sulm ajror! Qëndroni në strehimore, qëndroni të qetë. Mos shpërndani informacione, foto apo video përpara njoftimeve zyrtare”, ka shkruar zyrtari ukrainas në kanalin e tij të Telegram-it.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Andrei Sadovy, gjithashtu shkroi në Facebook se “një sulm tjetër raketor është shkaktuar, ne po përditësojmë informacionin”.

Më herët, forcat ruse lëshuan disa raketa në drejtim të Lviv-it.

Lajmin e bënte të ditur sërish kryebashkiaku i qytetit perëndimor.

“Bombat kanë mbërritur në Lviv. Ne po presim informacion nga administrata ushtarake”, shtoi Sadovy.

Kryetari i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të mos shpërndajnë foto ose video nga vendi i goditjes dhe të qëndrojnë në strehimore.

Në rrjetet sociale, banorët e qytetit raportojnë se kanë dëgjuar disa shpërthime.

Në të njëjtën kohë, kryetari i administratës ushtarake rajonale të Lviv, Maxim Kozitsky, vuri në dukje se rreth orës 16:30 kishte tre shpërthime të fuqishme pranë Lviv nga drejtimi i Kryvchytsy-t.

“Tani ka një alarm për sulm ajror, kështu që të gjithë qëndrojnë të qetë në strehimore. Mos i shpallni vendet e goditjes dhe mos bëni foto”, kërkoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore