Shqipëria

Forcat e Armatosura Shqiptare do të kenë mision ushtarak në Bullgari


Forcat e Armatosura Shqiptare do të dërgojnë për herë të parë një mision ushtarak në Bullgari, ku në total do të jenë 1 mijë e 650 trupa.

Ende nuk është përcaktuar zyrtarisht numri i trupave shqiptare apo misioni i tyre.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu përmes një postimi në median sociale “Twitter”.

Zyrtarja rumune ka zbuluar një grafikë e cila dëshmon përforcimin e prezencës së Aleancës në pjesën e saj lindore me më shumë trupa, avionë dhe anije luftarake.

NATO vendosi unanimisht të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore.

Ndër të tjera, po rishikohet edhe një koncept i cili përfshin rritjen e numrit të forcave në gatishmëri të lartë nga 40 mijë që janë aktualisht në 300 mijë trupa.

Kjo, si pjesë e rishikimit më të madh të mbrojtjes së Aleancës që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Në Bullgari, sipas të dhënave nga harta e publikuar prej NATO-s, do të ketë vetëm trupa bullgare, amerikane dhe shqiptare.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg prezantoi te mërkurën e 29 qershorit edhe dokumentin e Konceptit të ri Strategjik.

Ish-kryeministri norvegjez u shpreh se bota po përjeton krizën më të madhe të sigurisë prej Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht, Forcat e Armatosura Shqiptare  janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në disa vende përfshirë edhe Letoninë.

Shqipëria po jep kontributin e saj në Letoni me 21 ushtarakë EOD si pjesë e grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP) në bazën Adazi në Riga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore