Lajme

Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë, në një mision 10-ditor kundër IS-it


Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) të Mbretërisë së Bashkuar (MB) dhe avionë të tjerë të koalicionit, muajin e kaluar, u përfshinë në sulmet më të mëdha ajrore kundër Shtetit Islamik (IS) në dy vitet e fundit.

Misioni zgjati 10 ditë dhe u sulmuan deri në 100 vendstrehime të IS-it në Irak dhe ka të ngjarë të jenë shkaktuar dhjetëra viktima.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë, sulmet përfunduan më 22 mars.

Forcat britanike dhe të kombeve të tjera po luftojnë kundër 10 mijë luftëtarëve guerilë të IS-it, të cilët veprojnë në Siri dhe Irak.

Simon Strasdin, i cili drejton sulmet ajrore në Mbretërinë e Bashkuar, tha se ai “nuk mund të jepte një afat të saktë” për kohën kur lufta ka gjasa të mbarojë, por këmbënguli se “do ta fitonin dhe irakenët do të ishin në gjendje të stabilizonin vendin e tyre”.

Iraku është përfshirë në konflikt të vazhdueshëm që prej pushtimit nga SHBA, Britania e Madhe dhe forcat e tjera ndërkombëtare, në vitin 2003.

Situata mori zhvillim më të rrezikshëm me shfaqjen e IS-it në vend dhe në Sirinë fqinje, rreth vitit 2013.

Numri i saktë i viktimave në operacionin e fundit është i panjohur. Vendstrehimet mbeten të pastrohen nga forcat tokësore irakene.

Ka të ngjarë që dhjetëra të kenë vdekur.

Strasdin parashikoi që MB do të përfshihej në operacione gjatë vitit 2021.

Luftëtarët e IS-it janë fshehur në zonën e largët malore të Makhmur-it, e cila shtrihet midis zonës së kontrolluar nga qeveria qendrore irakene në jug dhe asaj të veriut të kontrolluar nga kurdët.

Aty gjenden një seri shpellash të modifikuara për jetesë që, sipas burimeve të MB-së, ndodhen të paktën tre milje larg vendbanimeve civile.

Britania u bashkua me SHBA-në dhe dhjetëra vende të tjera në sulmin ndaj IS-it nga ajri, ndërsa mbështetej në forcat tokësore lokale. Në fillim të 2019-s, grupi terrorist humbi pjesën e fundit të territorit të tij, duke rritur shpresat për mbarimin e luftës.

Në një moment midis fundit të 2019-s dhe fillimit të 2020-s sulmet ajrore dhe goditjet e dronëve nga RAF ndaluan. Por, bastisjet e fundit tregojnë se konflikti nuk ka mbaruar, edhe pse ata që janë përfshirë argumentojnë se fundi i luftës është afër.

RAF përdori avionë Typhoon gjatë operacionit dhe sulmoi shpellat me bomba Paveway.

Së fundmi, më 4 prill, një dron RAF Reaper goditi në Siri për herë të parë në pothuajse dy vjet, duke shenjëstruar një grup anëtarësh të IS-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore