Lajme

FMN: Lëndët djegëse po subvencionohen me një normë prej 13 milionë dollarë në minutë


Lëndët djegëse fosile kanë përfituar nga subvencionet rekord prej 13 milionë dollarësh në minutë në vitin 2022, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kjo, pavarësisht se ishin shkaku kryesor i krizës klimatike.

Analiza e FMN-së ka zbuluar se subvencionet totale për naftën, gazin dhe qymyrin në vitin 2022 ishin 7 trilion dollarë.

Dhe kjo është e barabartë me 7% të PBB-së globale dhe pothuajse dyfishin e asaj që bota shpenzon për arsimin.

Vendet janë zotuar të heqin dorë nga subvencionet për vite me radhë për të siguruar që çmimi i lëndëve djegëse fosile të pasqyrojë kostot e tyre të vërteta mjedisore, por kanë arritur pak deri më sot.

Subvencionet, të cilat ulnin çmimin e karburanteve për konsumatorët, u dyfishuan në vitin 2022 pasi vendet iu përgjigjën çmimeve më të larta të energjisë që rezultuan nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Familjet e pasura, sipas FMN-së, përfituan shumë më tepër nga këto sesa ato të varfrat.

Subvencionet e nënkuptuara përbënin 80% të totalit.

Përfundimi i subvencioneve duhet të jetë pjesa qendrore e veprimit për klimën, referuar FMN-së, dhe do ta vendosë botën në rrugën e duhur për të kufizuar ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius, si dhe parandalimin e 1.6 milionë vdekjeve nga ndotja e ajrit në vit dhe rritjen e të ardhurave të qeverisë me triliona dollarë.

Studiuesit pranuan se reforma e subvencioneve ishte e vështirë politikisht, por ata kanë thënë se politikat e hartuara me kujdes që mbështesin familjet më të varfra mund të funksionojnë, veçanërisht nëse koordinohen ndërkombëtarisht.

Sakaq, gjetjet e FMN-së vijnë pasi kriza klimatike shkakton kërdi në të gjithë botën, nga valët e të nxehtit, zjarret dhe përmbytjet nga Amerika në Evropë në Azi.

Reduktimi i subvencioneve të karburanteve fosile “duhet të jetë në qendër të përpjekjeve gjatë viteve të ardhshme për të arritur rrugën e kufizimit të ngrohjes globale nën 2 gradë”, ka thënë Ian Parry i FMN-së.

“Idealisht kjo bëhet përmes çmimit të karbonit [dhe] disa nga të ardhurat nga reformat duhet të përdoren për të kompensuar familjet e varfra dhe të cenueshme”, ka vijuar ai.

Sipas ekspertit, ndodhemi në këtë situatë sepse mund të jetë shumë e vështirë të rriten taksat për lëndët djegëse fosile, jo më pak kur vendet veprojnë në mënyrë të njëanshme.

“Ne rekomandojmë që vendet e mëdha të emetimit të koordinojnë çmimet e karbonit ose politika të ngjashme për të ndihmuar në rritjen e veprimit global”, ka shtuar ai.

Analiza e FMN-së ka nxjerrë në dritë se benzina dhe produktet e tjera të naftës përbënin gjysmën e subvencioneve eksplicite në vitin 2022, ku qymyri përbënte 30% dhe gazin fosil 20%.

Subvencionet më të mëdha të lëndëve djegëse fosile ishin nga Kina, SHBA-të, Rusia, BE-ja dhe India.

Qymyri ishte veçanërisht i subvencionuar, me 80% të tij të shitur me më pak se gjysmën e kostos së tij reale.

Studiuesit kanë thënë se vlerësimi i subvencioneve totale të karburanteve fosile në vitin 2022 do të kishte qenë shumë më i lartë – rreth 12 trilion dollarë – nëse do të kishin përdorur kosto më të larta të dëmtimit të klimës që u publikuan së fundmi.

Po ashtu studimi ka llogaritur se përfundimi i subvencioneve të karburanteve fosile do të zvogëlonte emetimet me 34% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2019, duke përfaqësuar një pjesë të madhe të shkurtimit prej 43% që nevojitet për të pasur një shans të mirë për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius.

Ndërkohë, studiuesit kanë thënë se në mënyrë që politikat e reformës së subvencioneve të shmangin reagimet politike dhe të jenë të suksesshme, duhet të futen gradualisht, të sigurohet mbështetje financiare për ata me të ardhura të ulëta dhe të përdoren në mënyrë produktive të ardhurat e rritura.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore