Shqipëria

FMN-ja “përforcon” mospërputhjen për të dhënat e investimeve amerikane në Shqipëri


Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përforcuar asimetrinë dypalëshe mes Bankës së Shqipërisë dhe Byrosë së Analizës Ekonomike (BEA) në SHBA sa i takon shifrave për të dhënat e investimeve amerikane në Shqipëri.

Albanian Post zbuloi burimin e të dhënave të agjencisë financiare të Kombeve të Bashkuara për të krahasuar të dhënat homologe, pikërisht të IHD-ve, më saktësisht, nga programi i Koordinuar i Statistikave të Investimeve Direkte të FMN-së (CDIS).

Tabela 3, siç shihet më poshtë, tregon të dhënat e IHD-ve hyrëse të raportuara nga pala amerikane së bashku me të dhënat e investimeve direkt të jashtme të raportuara nga ekonomitë homologe.

Ndarja tjetër vëren të dhënat e investimeve të jashtme siç raportohen nga pala amerikane së bashku me të dhënat e investimeve të brendshme të raportuara nga ekonomitë homologe.

Në këtë rast, autoritetet shqiptare kanë raportuar deri në fund të vitit 2021 si IHD të jashtme amerikane 50 milionë dollarë, ndërsa në të dhënat e Bankës së Shqipërisë kjo shifër është 161 milionë euro.

“Termi ‘IHD dypalëshe’ përdoret për të përshkruar statistikat e investimeve të huaja direkte ndërmjet dy palëve, për rrjedhojë, nuk ka një burim të vetëm për statistikat zyrtare, por dy. Nëse jeni të interesuar për një shpjegim se pse statistikat zyrtare nga banka qendrore shqiptare u zgjodhën si burim për statistikat dypalëshe të IHD-ve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mund të dëshironi të kontaktoni direkt me ambasadën amerikane”, deklaroi për Albanian Post një përfaqësues i BEA-s.

Sipas tij, reduktimi i asimetrive dypalëshe është një objektiv i rëndësishëm për shumë agjenci statistikore në mbarë botën dhe puna është në vazhdim për të përmirësuar statistikat e disponueshme.

“Byroja e Analizës Ekonomike publikon statistikat e IHD-ve dhe agjencitë, organizatat, institucionet dhe individët e tjerë janë të lirë t’i përdorin ato sipas dëshirës dhe nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në asnjërin nga publikimet që përmendët”, u përgjigj ekonomisti Ryan Smith duke specifikuar arsyen pse Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) nuk përdor të dhënat zyrtare të Departamentit të Tregtisë.

Albanian Post kontaktoi me të gjitha Dhomat Amerikane të Tregtisë në rajon për t’i pyetur në lidhje me përdorimin e mundshëm të të dhënave të US Commerce-it apo bankave qendrore të vendeve respektive në raportimet e tyre, por nuk mori një përgjigje të menjëhershme.

Por, për çështjen e asimetrive dypalëshe midis të dhënave të publikuara nga BEA dhe Banka Qendrore e Shqipërisë, ky është një problem që përballen në shkallë të ndryshme shumica e vendeve.

FMN dhe CDIS-ja

Që nga viti 2010, Departamenti i Statistikave i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka udhëhequr një përpjekje mbarëbotërore për mbledhjen e të dhënave statistikore, Anketa e Koordinuar e Investimeve Direkte (CDIS), e krijuar për të përmirësuar cilësinë e të dhënave për investimet direkte.

Baza e të dhënave CDIS paraqet informacion për çdo vend pjesëmarrës mbi pozicionet e investimeve direkte të brendshme sipas vendit investues të menjëhershëm dhe për investimet direkte të jashtme sipas vendit të destinacionit të menjëhershëm.

Aty ku është e mundur, këto pozicione ndahen në përbërësit e tyre të kapitalit dhe borxhit.

Për të theksuar asimetritë dypalëshe, baza e të dhënave paraqet gjithashtu të dhëna pasqyruese për vendet palë.

Si pjesë e përpjekjes për përmirësimin e të dhënave, Departamenti i Statistikave informon vendet pjesëmarrëse për asimetritë më të mëdha dypalëshe dhe i inkurajon ato të hetojnë këto asimetri, si për shembull duke rishikuar teknikat e tyre të vlerësimit ose duke ndarë informacionin me vendet homologe.

Në tetor 2013, BEA mori një mesazh nga ekipi i CDIS-së që kërkonte informacion për gjashtë asimetri të mëdha dypalëshe nga CDIS për vlerësimet e SHBA-ve të investimeve direkte të brendshme dhe 10 mospërputhje të mëdha dypalëshe për investimet direkte të jashtme për fundvitin 2011.

Stafi nga Drejtoria Ndërkombëtare e BEA-së u takua për të planifikuar një hetim të mospërputhjeve më të mëdha dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe katër vendeve: Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, Belgjikës dhe Irlandës.

Departamenti i Tregtisë zbulon për Albanian Post pozicionin e IHD-ve të SHBA-ve në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore