Lajme

FMN: Ekonomia globale po shkon drejt recesionit


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar se ekonomia globale së shpejti mund të jetë në prag të recesionit mes provave se tre ekonomitë më të mëdha në botë janë të gjitha në ngecje dhe inflacioni është më i lartë se sa ishte parashikuar më parë.

Në një përditësim të perspektivës së saj ekonomike botërore të prillit FMN-ja uli parashikimet e saj të rritjes ekonomike për vitet 2022 dhe 2023 dhe ngriti perspektivën e një ngadalësimi më të theksuar.

Sipas Fondit problemet në SHBA, Kinë dhe eurozonë kishin rezultuar në rënien e prodhimit global në tremujorin e dytë të këtij viti, tkurrja e parë që nga fillimi i pandemisë Covid-19.

“Perspektiva është errësuar ndjeshëm që nga prilli”, tha këshilltari ekonomik i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas.

“Bota së shpejti mund të jetë në buzë të një recesioni global, vetëm dy vjet pas atij të fundit”.

Këshilltari ekonomik i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas

FMN me bazë në Uashington bëri me dije se tani pret që ekonomia globale të rritet me 3.2% në vitin 2022 – një ulje prej 0.4 pikësh që nga prilli.

Ngadalësimi parashikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, kur rritja tani parashikohet të jetë 2.9% – 0.7 pikë më e ulët se sa ishte parashikuar tre muaj më parë.

Mbretëria e Bashkuar parashikohet të rritet me 3.2% në 2022 dhe me vetëm 0.5% në 2023. FMN pret që Britania e Madhe të ngadalësohet ndjeshëm në gjysmën e dytë të këtij viti dhe të jetë më e dobëta nga ekonomitë e G7 në 2023.

“Ekonomia globale, ende e rrëmbyer nga pandemia dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë, po përballet me një perspektivë gjithnjë e më të zymtë dhe të pasigurt”, tha Gourinchas.

“Inflacioni më i lartë se sa pritej, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë kryesore evropiane, po shkakton një shtrëngim të kushteve financiare globale. Ngadalësimi i Kinës ka qenë më i keq se sa ishte parashikuar mes shpërthimeve dhe bllokimeve të Covid-19, dhe ka pasur pasoja të mëtejshme negative nga lufta në Ukrainë”.

FMN tha se deri në tremujorin e katërt të 2022 ishte parashikuar inflacioni global prej 8.3%, nga vlerësimi i prillit prej 6.9%. Ai identifikoi Mbretërinë e Bashkuar – ku inflacioni tani është në rrugën e duhur për të qenë në 10.5% – dhe eurozonën në 7.3%, si vende ku presionet e kostos së jetesës ishin intensifikuar veçanërisht.

Këshilltari ekonomik i FMN-së tha se lufta kundër inflacionit duhet të jetë përparësia kryesore për politikëbërësit dhe ai mbështeti vendimet e fundit të bankës qendrore për të rritur normat e interesit.

Qeveritë mund të zbusin ndikimin e ngadalësimit tek më të cenuarit përmes mbështetjes së synuar, tha Gourinchas, por ndihma duhet të paguhet nga taksat më të larta ose shpenzimet më të ulëta publike për të siguruar që puna e bankave qendrore të mos vështirësohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore