Lajme

Fluturon, fluturon… Albin Kurti!


Foto nga Albanian Post

“Shuttle diplomacy” – apo diplomacia fluturuese, siç e quan kohëve të fundit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëtimin e diplomatëve perëndimorë sa në Prishtinë e sa në Beograd – është metoda që ka zgjedhur i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, për ta vazhduar negocimin me dy palët me shpresë në një marrëveshje.

Kurti aktualisht është pjesë e këtij formati duke pritur ndërkombëtarët, dëgjuar propozimin e tyre, dhënë mendimet e tij për atë propozim dhe përcjellje për në Beograd, derisa t’i vije radha sërish Prishtinës.

Çuditërisht, kryeministri ka pranuar këtë model edhe pse në të kaluarën e kritikonte ashpër. Një formë e tillë e negocimit është “strategji e pengimit të përmbushjes së vullnetit të popullit”, thoshte Kurti.

Këtë përshkrim kishte dhënë në një shkrim të vjetër të tij me titull “Fluturon, fluturon… diplomacia!”, në kohën kur Martti Ahtisaari lëvizte sa në Prishtinë e sa në Beograd në kërkim të një zgjidhje për problemin.

Shkrimi i publikuar dikur në faqen online të Vetëvendosjes, por që pas ardhjes në pushtet u hoq, bashkë me qindra të tjerë, shpaloste se për Kurtin e asaj kohe përfshirja e politikanëve të Kosovës në këtë lloj negocimi ku s’ka transparencë bëhet e munduar vetëm pasi ata të jenë shkëputur nga populli.

“Kur një popull shtypet, shtypësi kërkon të realizojë planin e shtypjes nëpërmjet atyre që janë të shkëputur nga populli. A s’keni parë edhe vetë sesi krejt çështja e Kosovës nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë trajtohet si problem personal i nja 6-7 politikanëve?”, pyet Kurti i asaj kohe, i cili, tani kur pyetet vetë se çfarë po diskutohet me ndërkombëtarët thotë se nuk flet dot, “sepse e respektoj konfidencialitetin e kërkuar të bisedimeve”.

Në raste të tjera, kur nuk i kërkohet të tregojë se çfarë u bisedua në takim, por të paktën cili është vlerësimi i tij për propozimet që po vijnë nga ndërkombëtarët, thotë se nuk flet dot, sepse zbulon strategjinë e Kosovës për palën tjetër.

Madje zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, ishte shprehur i befasuar nga gazetarja në një intervistë se si s’po e kupton ajo çfarë gabimi fatal është nëse ai tregon në publik se cila është strategjia.

Shkrimi i Kurtit të moçëm është përshkrues deri edhe fotografik, kurse politikanët që marrin pjesë në këso lloj takimesh i quan “mashtruese” e “dyfytyrësh”.

“A nuk u ka rënë tashmë edhe juve në sy sesi këta zyrtarë i grumbullojnë këta individë në pallatet e tyre, kërkojnë ‘konsensus’ nga ta, fotografohen, i shtrëngojnë duart, i fusin në negociata dhe kërkojnë që ta bindin popullin e Kosovës për kompromis? Ky është statusi i politikanit tonë gjatë këtyre viteve, e i njëjti do të jetë edhe përgjatë negociatave: parakushti i mbijetesës së tyre është mashtrimi dhe dyfytyrësia. Në po të njëjtën mënyrë qysh gënjyen për ardhjen e pavarësisë për vite e vite me radhë vetëm sa për të mbetur në atë kinsepushtet”, shkruan Kurti i 2010-së, i cili tash ka fluturuar edhe vetë në llojin e diplomacisë që kritikonte.

Kurti kritikonte rëndë në këtë shkrim sidomos takimet mes politikanëve e ndërkombëtare kur brenda nuk lejohen kamerat.

“Gjithçka po synohet të bëhet tinëzisht, disi prapa shpine. Ja, pra, erdhëm te shuttle diplomacy. Diplomacia fluturuese do të shërbejë pikërisht si mjet amortizues kundrejt fuqizimit potencial të popullit. I dërguari special për bisedime do të fluturojë nga një vend në tjetrin për t’i takuar veç e veç përfaqësuesit e palëve negociuese. Shumica prej këtyre takimeve do të realizohen larg gazetarëve dhe syrit të kamerave. Jo pa qëllim”.

Sipas këtij shkrimi të vjetër tashmë, qëllimi ishte që “në këtë mënyrë të shmangen situatat e takimeve të hapura të dy delegacioneve, të cilat do të kishin dy efekte kapitale por kundërpoduktive për kompromisin. Së pari – humbjen automatike të imazhit edhe ashtu të mjerë të kompromisaxhinjve. Së dyti – qartësimin përfundimtar të padrejtësisë që do të ndikonte në një polarizim radikal të gjendjes dhe organizim të përshpejtuar gjithëpopullor”.

Kanë ndryshuar kohët, pozicionet dhe vetë Kurti. Tashmë është protagonist i kësaj diplomacie dhe fluturon në avionin e saj, përvec rasteve kur përjashtohet nga fluturuesit ndërkombëtarë, siç është ky takimi i fundit që pritet të mbahet me 31 janar, ku janë ftuar liderë opozitarë e personalitete të tjera për të diskutuar rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por Kurti nuk ka pranuar ftesë.

Shkrimi i plote

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore