Lajme

Fluturimet e transportit të mallrave midis Turqisë dhe Armenisë “do të nisin së shpejti”


Faza e dytë e normalizimit të lidhjeve midis Turqisë dhe Armenisë ka nisur.

Zyrtarët e të dy vendeve po diskutojnë fillimin e fluturimeve të transportit të mallrave para Vitit të Ri dhe hapjen e kalimit kufitar Alican.

Më 2 shkurt, nisën fluturimet e para të pasagjerëve midis Stambollit dhe Jerevanit pas muajsh bisedimesh.

Kurse tani zyrtarët po i afrohen përfundimit të bisedimeve për të nisur fluturimet e transportit të mallrave.

Sipas tyre, fluturimet e ngarkesave “mund të fillojnë” përpara 31 dhjetorit të këtij viti.

Me fillimin e fluturimeve, mallrat turke do të dërgohen drejtpërdrejt në Armeni, jo nëpërmjet Gjeorgjisë si deri më tani.

Një aspekt tjetër që zyrtarët po diskutojnë është hapja e kalimit kufitar Alican, i cili është mbyllur që nga prilli 1993.

I vendosur në provincën lindore të Iğdır, ai lidh të dy vendet me një urë 128 metra të gjatë. Por për shkak të mbylljes për gati tre dekada, ura u bë e pariparueshme.

“Ura duhet të riparohet. Bisedimet për riparimin e urës filluan disa javë më parë”, kanë thënë zyrtarët.

Megjithatë, ata nuk presin që në një të ardhme të afërt të ketë rezultat pasi moti me borë është pengesë për punimet ndërtimore.

Sakaq, faza e tretë e procesit të normalizimit do të jenë bisedimet për fillimin e tregtisë së drejtpërdrejtë mes dy vendeve.

“Punimet teknike tashmë kanë filluar edhe për këtë”, kanë shtuar zyrtarët.

Turqia dhe Armenia nuk kanë krijuar lidhje diplomatike që nga fillimi i viteve 1990, pasi kjo e fundit fitoi pavarësinë.

Pushtimi i Armenisë i territoreve të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh ishte arsyeja kryesore që Turqia mbylli kufijtë me Armeninë dhe nuk vendosi lidhje normale me të.

Ndërkohë, procesi i normalizimit synon të lejojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, hapjen e kufijve të mbyllur dhe fillimin e projekteve ekonomike, tregtare dhe të transportit midis dy kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore