Lajme

“Fjalimi i Vuçiç-it ishte prelud për ndryshimet në raport me Kosovën”, thotë analisti serb


Aleksandët Vuçiç

Drejtori i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), Igor Bandoviç, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ka vlerësuar se fjalimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën e 23 janarit, ishte prelud për ndryshimet e politikës së tij në raport me Kosovën.

“Ky është një ndryshim i madh në krahasim me të gjitha deklaratat dhe aktivitetet e mëparshme në lidhje me Kosovën dhe ndoshta është pasojë e vendosmërisë së ndërmjetësve ndërkombëtarë për të kërcënuar me sanksione serioze nëse pala serbe dhe ajo kosovare nuk e pranojnë propozimin për negociata”, tha Bandoviç.

Vuçiç në një konferencë për media ndër të tjera ka treguar tri dënimet që e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën në bazë të propozimit franko-gjerman, prandaj sipas analistit serb, akoma mbetet të shihet nëse ky ndryshim do të ndikojë në arritjen e një marrëveshjeje.

“Fakti që Vuçiç foli për kostot dhe pasojat e mospranimit të tij tregon se në periudhën e ardhshme ai do të udhëheqë një fushatë publike për të ndryshuar qëndrimet nacionaliste që kishte deri dje në mesin e shumicës së qytetarëve serbë”, shtoi ai.

Bandoviç gjithashtu theksoi se “ende nuk është e qartë” nëse një politikë e tillë e presidentit serb do të reflektohet në ndryshime në një tjetër temë kyçe të politikës së jashtme serbe, gjegjësisht çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe presionit ndërkombëtar.

“Meqenëse, duket se situata këtë herë është më serioze dhe komplekse, dhe vendosmëria e ndërmjetësve ndërkombëtarë për zgjidhjen e problemit është shumë më e madhe, një dialog dhe bisedë e vërtetë për këtë temë mund të jetë e dobishme”, tha ai.

Ndryshe, fillimisht në Prishtinë e më pas në Beograd më 20 janar, erdhën Miroslav Lajçak i BE-së, Gabriel Escobar i ngarkuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin dhe tre këshilltarë të lartë të tjerë nga Gjermania, Franca e Italia, për të diskutuar rreth Marrëveshjes Bazë mbështetur në propozimin franko-gjerman.

Vuçiç tregon çfarë i thanë Lajçak e Escobar: Do kemi tri dënime të forta po s’e pranuam propozimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore