Fjalimi i Putinit: Rusia i dallon patriotët nga tradhtarët. Ky pastrim do të na bëjë më të fortë

SHFLETO
Orges Permargjeta
17.03.2022 13:04
Loading Icons...

E frikshme!

Gati i njëjti fjalim me të cilin shpalli fillimin e luftës.

Këtë herë, presidenti rus, Vladimir Putin, sulmoi “armikun e brendshëm”, duke ftuar popullin rus të pastrohet nga brenda.

Fjalët kanë bërë bujë mediatike kudo, edhe në Rusi, ku takimi i tij me anëtarët e qeverisë nuk transmetohet gjithmonë drejtpërdrejt. Por, të mërkurën, megjithatë, ndodhi.

Presidenti donte të dërgonte një mesazh. Dhe e bëri atë, në një mënyrë që e bën të pamundur të mos të të sjellë ndër mend fjalimet e Stalinit.

“Nuk dua t’i gjykoj bashkatdhetarët tanë me vilat e tyre në Miami apo në Rivierën Franceze dhe që s’mund të jetojnë pa ushqime luksi ose të ashtuquajturat ‘liri gjinore’”.

Deri më tani mund të ishte dukur një ultimatum i thjeshtë për fisin e madh të oligarkëve, një kategori tashmë pak e dashur në shtëpi, të cilët nuk dinë më të distancohen drejtpërdrejt nga ajo që po ndodh.

Por, referenca e vazhdueshme ndaj shoqërisë ruse ka krijuar gjithashtu përshtypjen se ky është një kërcënim i gjerë për shumë njerëz të botës kulturore që kanë vendosur të largohen këto ditë, apo për qytetarët e thjeshtë që kërkojnë një mënyrë për të ikur nga vendi i tyre, pa marrë parasysh nëse me tren, me makinë apo me avion.

 

“Perëndimi po përpiqet të copëtojë shoqërinë tonë duke spekuluar mbi humbjet luftarake ruse dhe pasojat socio-ekonomike të sanksioneve, me shpresën për të shkaktuar një rebelim në popullatë. Dhe unë e di që ai po përdor të ashtuquajturën kolonën e pestë, tradhtarët tanë, për të arritur qëllimin e tij përfundimtar, që është shkatërrimi i Rusisë“.

Kjo, është hera e parë që Kremlini e njeh ekzistencën e mospajtimit në shoqërinë ruse.

Por ajo që ka më shumë rëndësi është reagimi i Putinit ndaj këtij pranimi të realitetit. Sepse, deklarata e tij është një dhunë verbale, që e bën të tepërt çdo koment. Mjafton përkthimi fjalë për fjalë.

“Gjithsesi, çdo komb, veçanërisht ai rus, është gjithmonë në gjendje të dallojë patriotët e vërtetë nga llumi dhe tradhtarët dhe këta të fundit t’i pështyjë sikur diçka e pështirë të futet në gojë”.

Ftesa përfundon me një apel, i cili, në rrethana të tjera, do të kishte vlerën e këshille.

“Le t’i pështyjmë në dysheme”, përfundon Putin. “Jam i bindur se ky pastrim natyror dhe thelbësor i shoqërisë sonë do të përfundojë duke e bërë vendin tonë më të fortë, solidaritetin tonë dhe aftësinë tonë për t’iu përgjigjur sfidave”.

Këto nuk janë fjalë qetësuese, që u drejtohen jo vetëm oligarkëve, por edhe atyre që ëndërrojnë të largohen. Ndoshta ky është qëllimi përfundimtar i Putinit, sepse që nga fillimi i luftës, të paktën dyqind mijë rusë janë larguar nga vendi i tyre.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post