Libra

Fjalimi historik i Winston Churchill-it, para 81 vjetësh


Winston Churchill, në kohën kur ishte zgjedhur kryeministër dhe udhëhiqte me kabinetin e luftës

Tri ditë pas zgjedhjes së Winston Churchill-it kryeministër, më 13 maj 1940 ai e mbajti njërin prej fjalimeve të tij historike në parlamentin britanik.

Fraza e tij “Unë nuk kam asgjë tjetër çfarë të ju ofroj përveç gjak, mundim, lot dhe djersë” është ende e gjallë në kujtesën kolektive të shoqërisë evropiane dhe jehon si realiteti më i hidhur, por edhe më i domosdoshëm i kohës.

Kryeministri paraprak Neville Chamberlain, premtonte “Paqe në kohën tonë”, por ajo paqe u lëkund njëherë e përgjithmonë me pushtimin e Polonisë nga nazistët. Chamberlain konsiderohej i paaftë për të shpëtuar Evropën nga pushtimi nazist.

Kur më 10 maj, Hitleri pushtoi Belgjikën, Luksemburgun, Holandën dhe Francën, po atë ditë Chamberlain formalisht humbi votëbesimin nga Dhoma e Ulët (Parlamenti Britanik), dhe ai zëvendësua nga Winston Churchilli.

Albanian Post ju sjell fjalimin e parë të Winston Churchillit në Parlament si kryeministër i ri i Britanisë.

 

Winston Churchill, 13 Maj 1940.

Të premten mbrëma mora urdhrin nga Madhëria e Tij për të formuar një administratë të re. Ishte vullneti i qartë i Parlamentit dhe kombit që kjo duhej parë mbi bazën më të gjerë të mundshme, që do t’i përfshinte të gjitha partitë. Unë tashmë e kam kryer pjesën më të rëndësishme të kësaj.

Kabineti i luftës është formuar me pesë anëtarë, që së bashku me Liberalët, Laburistët, Opozitën, përfaqëson unitetin e kombit. Ka qenë e domosdoshme që kjo të bëhet brenda një dite të vetme për shkak të urgjencës ekstreme dhe ashpërsisë së ngjarjeve. Unë do t’i paraqes një listë më të gjatë sonte mbretit. Shpresoj që ta përfundoj emërimin e ministrave kryesorë deri nesër.

Emërimi i ministrave zakonisht kërkon më shumë kohë. Besoj se kur Parlamenti të mblidhet përsëri, kjo pjesë e detyrës sime do të jetë e kompletuar dhe se administrata do të jetë e plotë në të gjitha aspektet e saj. Në përfundim të procedurave që janë të parapara për sot është edhe shtyrja e punës së Parlamentit deri më 21 maj, por nëse është e nevojshme mund të mblidhet edhe më herët. Për këtë do të njoftohen të gjithë kryeministrat në rastin më të hershëm të mundshëm.

Tash ftoj Shtëpinë me një Rezolutë që të regjistrojë pajtueshmërinë për hapat që janë ndërmarrë dhe të deklarojë besueshmërinë për qeverinë e re.

Rezoluta:

“Që kjo Shtëpi e mirëpret formimin e një qeverie të re që përfaqëson vendosmërinë në unitetin dhe papërkulshmërinë e kombit që të zhvillojë luftën me Gjermaninë, deri në përfundim fitimtar”.

Formimi i një administrate të kësaj shkalle dhe kompleksiteti është një sipërmarrje e vështirë në vetvete. Por, ne jemi në këtë fazë parapërgatitore të një prej betejave më të mëdha në histori. Ne jemi në veprim tashmë në pika tjera, si në Norvegji dhe Holandë – dhe duhet të përgatitemi për në Mesdhe. Beteja ajrore po vazhdon, dhe edhe shumë përgatitje duhet të bëhen në vendin tonë.

Në këtë krizë duhet të më falet nëse nuk i drejtohem Shtëpisë më gjatë në këtë fjalim,  dhe shpresoj se miqtë, kolegët dhe ish-kolegët që janë afektuar nga rikonstruktimet politike do t’i pranojnë mungesat e ceremonive, në të cilat është dashur të veprohet.

I them Shtëpisë, siç u kam thënë edhe ministrave që i janë bashkuar qeverisë, unë nuk kam asgjë tjetër çfarë t’iu ofroj përveç gjak, mundim, lot, dhe djersë. Ne gjendemi para një sfide të llojit më të rëndë. Para neve shtrihen shumë, shumë muaj luftë dhe vuajtje.

Ju më pyesni, cila është politika jonë? Unë them, të bëjmë luftë në tokë, det, dhe në ajër. Luftë me gjithë forcën dhe mundin që na e ka dhënë Zoti, t’i japim luftë tiranisë më të tmerrshme që e ka tejkaluar të gjithë katalogun e errësirës dhe vajtueshmërisë së krimeve njerëzore. Kjo është politika jonë.

Ju më pyesni, cili është synimi ynë? Unë u përgjigjem me një fjalë. Është fitorja. Fitore me çfarëdo çmimi – fitore përkundër të gjitha tmerreve – Fitore, sado gjatë që na shkon, sado rrugë e gjatë që të jetë, sepse pa fitore nuk ka as mbijetesë.

Unë e marrë këtë detyrë me shpresë. Ndihem i sigurt që kauza jonë nuk do të vuajë dështimin mes njerëzve. Ndihem se kam të drejtë në këtë katrahurë, në këtë kohë, t’u pohoj të gjithëve këtë gjë: “Ejani pra, të gjithë së bashku të ecim me forcën tonë të bashkuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore