Euro 2024

“Fitojmë me rezultatin 1:0 ndaj Italisë”, Duka i bindur në fitore të Shqipërisë


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se Shqipëria do ta mposhtë Italinë me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e parë në “Euro 2024” që do të zhvillohet më 14 qershor në ora 21:00.

“Fitojmë ne me rezultatin 1:0”, u shpreh ai i bindur në një intervistë për mediumin italian Play.

Megjithatë, ai ka theksuar se do të ishte i kënaqur të kualifikoheshin të dyja kombëtaret në evropianin që do zhvillohet në Gjermani.

“Për mua do të ishte bukur nëse Italia do të kualifikohej me ne të paktën deri në fazën e 1/16-ve”, shtoi kreu i FSHF-së.

Ndërkaq Qazim Laçi, mesfushori i ekipit kombëtar ishte lojtari i radhës që doli në konferencën për media nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen.

Mesfushori kuqezi foli për objektivat e kuqezinjve në grupin B dhe u ndal te sfida e parë e Shqipërisë kundër Italisë.

Laçi u shpreh se Shqipëria ka mbërritur me meritë në këto finale dhe se po jep maksimumin në stërvitje në mënyrë që ta nisë sa më mbarë me Italinë.

Numri 14 i Kombëtares theksoi se skuadra kuqezi do t’i marrë të gjitha ndeshjet me radhë, ndërsa komentoi edhe konkurrencën në Kombëtare, që e konsideron si mjaft produktive.

Ndryshe, Kombëtarja e Shqipërisë ballafaqohet më 14 qershor në stadiumin “Signal Iduna Park” kundër Italisë, në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Kuqezinjtë” janë pjesë e grupit B me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore