Financa

Fitimet e korporatave rritën çmimet vitin e kaluar, thotë presidentja e BQE-së


Fitimet e korporatave kanë qenë faktori më i madh që rriti çmimet vitin e kaluar dhe do të jetë sërish në vitin 2023 nëse bizneset nuk detyrohen të rrisin pagat.

Kështu ka thënë presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.

Ajo mbetet e shqetësuar se firmat do të testojnë sërish oreksin e konsumatorëve për të paguar çmime më të larta, pavarësisht nga një rënie e madhe në shumicën e kostove të biznesit në muajt e fundit.

Sipas saj, punëtorët pritej të rikuperonin vlerën e pagave të tyre para pandemisë gjatë dy viteve të ardhshme, por nëse kompanitë ia kalonin këto rritje konsumatorëve përmes çmimeve më të larta, inflacioni do të vazhdonte për më shumë se sa pritet dhe mbeten mbi objektivin prej 2 për qind të BQE-së.

Duke paralajmëruar se mund të ketë nevojë të ketë më shumë rritje të normave të interesit këtë vit, komentet e Lagarde u mbështetën nga zëvendësshefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka thënë se ekziston rreziku i “rrënjosjes së inflacionit”.

Gita Gopinath, e cila ishte deri vitin e kaluar ekonomistja kryesore e FMN-së, ka thënë se BQE dhe bankat e tjera qendrore “duhet të jenë të përgatitura të reagojnë me forcë” ndaj shenjave të inflacionit të vazhdueshëm, pavarësisht shqetësimeve se kostot më të larta të huamarrjes mund të shkaktojnë rritje të papunësisë dhe recesion në shumë vende.

Në një studim të inflacionit në të gjithë vendet evropiane, studiuesit e FMN-së kanë thënë se gjetjet e tyre treguan se fitimet e korporatave kishin luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e inflacionit në të gjithë Evropën, duke mbështetur shqetësimet e Lagarde.

Çmimet vjetore të konsumit në eurozonë u rritën 6.1 për qind në maj, nga 7 për qind në prill.

Lagarde ka theksuar se BQE pret që punëtorët e eurozonës të rikthejnë humbjet e fitimeve të tyre nga inflacioni deri në fund të vitit 2025. Kjo do të nënkuptonte një rritje prej 14 për qind të pagave gjatë dy viteve.

“Shkalla e madhe e rritjes së kostos së inputeve e bëri më të vështirë për konsumatorët të gjykojnë nëse rritja e çmimeve u shkaktua nga kosto më të larta apo fitime më të larta, duke nxitur një përçim më të shpejtë dhe më të fortë”, ka shtuar ajo.

“Në të njëjtën kohë, kërkesa e ndrydhur në rihapjen e sektorëve, kursimet e tepërta, politikat ekspansioniste qeveritare dhe kufizimet e ofertës të shkaktuara nga pengesat u dhanë firmave më shumë hapësirë për të testuar kërkesën e konsumatorëve me çmime më të larta”.

Po ashtu ajo ka thënë se fitimet e korporatave përbënin rreth dy të tretat e inflacionit në vitin 2022 krahasuar me mesataren e një të tretës së 20 viteve të mëparshme.

“Kjo nga ana tjetër çoi në goditjet që ushqeheshin në inflacion vitin e kaluar shumë më shpejt dhe me forcë se në të kaluarën”, ka shtuar ajo.

Pa një ndryshim në sjelljen e korporatave, normat e interesit do të duhet të qëndrojnë më të larta për një periudhë më të gjatë se sa ishte parashikuar më parë, ka ravijëzuar Lagarde.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore