Lajme

Firma e Jaguar Land Rover do të shpenzojë 4 miliardë paund në fabrikën e baterive në MB


Pronari i Jaguar Land Rover, Tata, ka konfirmuar planet për të ndërtuar fabrikën e kryesore të baterive të makinave elektrike në Mbretërinë e Bashkuar.

Fabrika e re në Somerset pritet të krijojë 4 mijë vende pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe mijëra të tjera në zinxhirin më të gjerë të furnizimit.

Tata ka njoftuar se do të investojë 4 miliardë paund në vend, por kuptohet se qeveria po ofron subvencione me vlerë qindra milionë paund.

Sakaq, fabrika përshkruhet si investimi më i rëndësishëm në automobila në Mbretërinë e Bashkuar që kur Nissan mbërriti në vitet 1980.

Gigafabrika e re pranë Bridgwater do të jetë një nga më të mëdhatë në Evropë dhe do të prodhojë bateri për automjetet Jaguar Land Rover si Range Rover, Defender dhe markat Jaguar.

Plani është që të furnizohen edhe prodhues të tjerë makinash, me prodhimin në fabrikën e re që do të fillojë në vitin 2026.

Tata ka qenë në negociata prej muajsh për të siguruar ndihmën shtetërore për projektin. Ajo kishte konsideruar një vend rival në Spanjë për fabrikën e baterive.

Mendohet se është dhënë një nivel i konsiderueshëm subvencioni, i cili ka të ngjarë të jetë në formën e granteve në para, zbritjeve në koston e energjisë dhe financimit të trajnimit dhe kërkimit.

Fabrika është e para e Tata-s jashtë Indisë dhe, shpresohet se do të ndihmojë sektorin e prodhimit të makinave të kalojë nga benzina dhe nafta në prodhimin e automjeteve elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore