Lajme

Finlanda po i mëson një brezi të zbulojë keqinformimin, Shqipëria duhet ta ndjekë


Saara Martikka, një mësuese në Hameenlinna, Finlandë, u jep nxënësve të saj mësim ndryshe nga ora tipike mësimore.

Ajo u prezanton nxënësve të klasës së tetë artikuj lajmesh dhe së bashku ata diskutojnë për qëllimin e artikullit apo pretendimet kryesore të autorit.

Muajin e kaluar, në një klasë ajo u tregoi nxënësve tre video në TikTok dhe ata diskutuan motivet e krijuesve dhe efektin që kishin videot tek ata.

Qëllimi i saj është të ndihmojë nxënësit të mësojnë të identifikojnë informacionin e rremë.

Në një sondazh të publikuar në tetor nga Instituti i Shoqërisë së Hapur në Sofje, Finlanda u rendit e para nga 41 vendet evropiane për qëndrueshmërinë ndaj dezinformatave për të pestën herë radhazi.

Sipas zyrtarëve vendas, suksesi i Finlandës nuk është vetëm rezultat i sistemit të saj të fortë arsimor, i cili është një nga më të mirët në botë, por edhe për shkak të një përpjekjeje të përbashkët për të mësuar nxënësit mbi lajmet e rreme.

Dhe shkrim-leximi mediatik është pjesë e kurrikulës bërthamë kombëtare që fillon në parashkollor.

“Pavarësisht se çfarë mëson mësuesi, qoftë edukimi fizik, matematika apo gjuha, duhet të mendoni se si t’i përfshij këto elemente në punën tuaj me fëmijët dhe të rinjtë?”, ka thënë Leo Pekkala, drejtori i Instituti Kombëtar Audiovizual i Finlandës, i cili mbikëqyr edukimin e medias.

Pas Finlandës, vendet evropiane që u renditën më lart për qëndrueshmërinë ndaj dezinformatave në sondazhin e Institutit të Shoqërisë së Hapur ishin Norvegjia, Danimarka, Estonia, Irlanda dhe Suedia.

Kurse vendet më të rrezikuara ishin Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.

Sakaq, rezultatet e anketës janë llogaritur në bazë të pikëve për lirinë e shtypit, nivelin e besimit në shoqëri dhe pikët në lexim, shkencë dhe matematikë.

Në Finlandë, 76 për qind e vendasve i konsiderojnë gazetat e shtypura dhe ato digjitale si të besueshme.

Finlanda ka avantazhe në luftën kundër dezinformatave. Sistemi i saj shkollor publik është ndër më të mirët në botë. Kolegji është falas. Mësuesit janë shumë të respektuar. Ka besim të lartë te qeveria dhe po ashtu është një nga vendet evropiane më pak të prekura nga pandemia.

Teksa mësuesve në Finlandë u kërkohet të mësojnë shkrim-leximin mediatik, ata kanë diskrecion të konsiderueshëm mbi mënyrën se si të kryejnë mësimet.

Mësuesja Martikka ka treguar se i ka ngarkuar nxënësit të modifikonin videot dhe fotot e tyre për të parë se sa i lehtë ishte manipulimi i informacionit.

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 833 miljesh me Rusinë, ka zhvilluar qëllimet e saj kombëtare për edukimin mediatik në vitin 2013 dhe ka përshpejtuar fushatën e saj për të mësuar nxënësit të dallojnë dezinformatat në vitet në vijim.

Paçka se adoleshentët e sotëm janë rritur me mediat sociale, kjo nuk do të thotë se ata dinë të identifikojnë dhe të ruhen nga videot e manipuluara të politikanëve ose artikujt e lajmeve.

Një studim i botuar vitin e kaluar në British Journal of Developmental Psychology zbuloi se adoleshenca mund të jetë një kohë kulmore për teoritë e konspiracionit.

Dhe se, një faktor kontribues mund të jetë media sociale, me ndikimin e saj mbi bindjet e të rinjve për botën.

Por për mësuesit e çdo grupmoshe, nxjerrja e mësimeve efektive mund të jetë sfiduese.

“Është shumë më e lehtë të flasim për letërsinë, të cilën e studiojmë për qindra vjet”, ka thënë Mari Uusitalo, një mësuese e shkolle në Helsinki.

Gjithçka fillon nga bazat duke u mësuar nxënësve për ndryshimin midis asaj që shohin në Instagram dhe TikTok kundrejt asaj që lexojnë në gazetat finlandeze.

“Ata me të vërtetë nuk mund të kuptojnë lajmet e rreme apo dezinformatat apo ndonjë gjë tjetër nëse nuk e kuptojnë marrëdhënien mes mediave sociale dhe gazetarisë”, ka shtuar ajo.

Gjatë 16 viteve të saj si mësuese, ajo ka vënë re një rënie të qartë në aftësitë e të lexuarit të të kuptuarit, një prirje që ajo ia atribuon nxënësve që kalojnë më pak kohë me libra dhe më shumë kohë me videolojëra.

Me aftësi më të dobëta leximi dhe hapësirë më të shkurtër të vëmendjes, sipas saj ata janë më të prekshëm ndaj besimit të lajmeve të rreme ose mungesës së njohurive të mjaftueshme rreth temave për të identifikuar informacione mashtruese ose të gabuara.

Qëllimi i saj është t’u mësojë metoda që ata mund të përdorin për të dalluar të vërtetën dhe trillimin.

“Nuk mund t’i bëj ata të mendojnë njësoj si unë, thjesht duhet t’u jap atyre mjetet për të krijuar mendimet e tyre”, ka thënë ajo.

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore