Lajme

Finlanda do ta përkrahë Kosovën në Këshillin e Evropës, thotë Nissinen


Matti Nissinen

Ambasadori i Finlandës në Prishtinë, Matti Nissinen, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), garantoi se Finlanda do të vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës në rrugën drejt anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare, përfshirë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Finlanda i përkrah aspiratat e Kosovës në politikën e jashtme dhe kjo përfshin anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo përkrahje mbetet e palëkundur nga ana e Finlandës. Kjo përfshin edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, deklaroi diplomati finlandez për transmetuesin publik.

“Ne, mbi të gjitha, këtë e konsiderojmë si çështje të të drejtave njerëzore dhe kjo është diçka që bëhet për njerëzit e vendit dhe për të drejtat e njeriut të popullit të Kosovës. Nën ombrellën e Këshillit të Evropës, Kosova do të jetë pjesë e regjimeve të të drejtave të njeriut dhe kjo është një gjë tejet e vlefshme e cila përfshin përgjegjësinë e veçantë për mbrojtjen e pakicave”.

Një ndër pikat kryesore të seasionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të jetë debati mbi raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, i cili pritet të mbahet në Strasburg të Francës midis 15 dhe 19 prillit 2024.

Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore