Financa

Financimi nga USAID për zhvillimin e Shqipërisë rinovohet deri në 2030


Qeveria shqiptare ka arritur të nënshkruajë një rinovim të marrëveshjes me USAID, sa i takon ndihmës për objektiva zhvillimi me Qeverinë e SHBA-ve, deri në vitin 2030.

Këto objektiva lidhen kryesisht me forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme.

Ministri i Financave, Ervin Mete, gjatë ceremonisë së zhvilluar në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, në prani të Drejtoreshës së Misionit të USAID në Shqipëri, Mischere Kawas, u shpreh se Marrëveshja e ratifikuar fillimisht në fund të vitit 2013, ka ofruar mbështetje serioze për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në fusha si, të drejtat e njeriut, qeverisja, zhvillimi ekonomik, paqja dhe siguria.

“Rinovimi i marrëveshjes deri në vitin 2030, duke e çuar vlerën e përgjithshme të financimit deri në 97 milionë dollarë, është një tjetër dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të Qeverisë Amerikane për Shqipërinë, një mbështetje e cila bëhet edhe më e rëndësishme për vetë stadin në të cilin ndodhet aktualisht vendi ynë në procesin e negociatave dhe përpjekjet për t’u afruar më shpejt me Bashkimin Evropian”.

Kështu përshkroi Mete gjatë një fjale të rastit, pas firmosjes së rinovimit.

Po ashtu, ai shtoi se SHBA-të kanë qenë dhe vijojnë të jenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të vendit, jo vetëm sa i përket anëtarësimit në strukturat euroatlantike, por edhe sa i përket reformave të rëndësishme.

Këtu, ai përmend Reformën në Drejtësi, një sërë reformash të tjera të ndërmarra nga Qeveria, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, apo zhvillimin e sektorëve prioritarë të ekonomisë.

Nga ana tjetër, drejtoresha e USAID në Shqipëri theksoi se “ky është një çast kyç, ndërkohë që Shqipëria ndërmerr hapat e radhës drejt integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në BE.

“Ne jemi gati të jemi një aleat në çdo hap, ku USAID zgjeron dhe thellon marrëdhënien e bashkëpunimit me qytetarët dhe Qeverinë e Shqipërisë”, shteroi ajo.

Që nga viti 1992, USAID ka investuar mbi 500 milionë dollarë në Shqipëri në mbështetje të pluralizimit politik, shoqërisë civile, qeverisjes vendore, sundimit të ligjit, sektorët e energjetikës dhe shëndetësisë, rritjes së qëndrueshme ekonomike, përfshirë zhvillimin e turizmit dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore