Shqipëria

Financimet ruse turbullojnë politikën, ka nevojë për përmirësim të kuadrit ligjor


Komisioneri shtetëror zgjedhor, Ilirjan Celibashi, duke parë shqetësimet e fundit të sjella në sferën politike mbi financimet ruse për partitë në Shqipëri dhe pas një takimi me ambasadoren amerikane, Yuri Kim, ka deklaruar se është e nevojshme të kryhen ndërhyrje ligjore për të monitoruar më qartë dhe më pastër gjithë sistemin e financimit të partive.

Ky ka qenë një shqetësim direkt i shprehur nga Kim vetë, një ditë pas risjelljes në kujtesë të një çështjeje që lidhet me përftimin e rreth 500 mijë dollarëve nga ana e Partisë Demokratike, prej faktorit rus në rajon.

Sipas një publikimi nga Departamenti i Shtetit, Moska ka shpenzuar rreth 300 milionë dollarë për të ndërhyrë në proceset zgjedhore në Ballkan dhe partitë në Shqipëri, nuk i kanë shpëtuar kësaj skeme.

Vetë Kim, u ka përcjellë shqetësimin përfaqësuesve të partive politike, të cilët ishin të pranishëm në takim.

Damian Gjiknuri, Jorida Tabaku dhe Monika Kryemadhi, me kërkesën e ambasadores, janë bërë pjesë e takimit.

Çfarë u deklarua tjetër?

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi se në takimin e zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, fokusi i diskutimit ishte financimi i partive politike.

“Potencialin e financimeve te shteteve të huaja, në këtë rast ishte fokusi tek Rusia dhe masat që duhet të marrin institucionet shqiptare dhe partitë politike për të parandaluar çdo lloj financimi të paligjshëm në rrezik dhe për interesat”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, Shqipëria ka një kuadër shumë të mirë ligjor dhe instrumentet për të parandaluar financime të panevojshme apo që nuk i dihet mirë burimi.

“Duhet parandaluar tashmë çdo lloj akti. Ky është një shembull për tu marrë parasysh se si partitë politike që të mos përfshihen në financime që nuk i bëjnë mirë vendit. Kemi komision të reformës zgjedhore që mund të forcojë dispozitat për fushatën zgjedhore por fokusi ishte për shqetësimin e SHBA për përfshirjen e influencave të huaja dhe dëmtimin e interesave të këtij vendi. Biseda nuk ishte teknike apo çfarë masash do të merren”.

Nga ana tjetër, deputetja demokrate, Jorida Tabaku bëri me dije se në takim kanë folur për raportin e SHBA në lidhje me financimin e PD me 500 mijë dollarë nga Rusia dhe qëndrimin larg influencave ruse dhe kineze.

“U diskutua për partitë politike, financimin e tyre dhe qëndrimin larg influencave ruse, kineze, me tepër do ju informoje ambasada”.

Ndërsa, Kryemadhi tha se në takim nuk u përmendën emra sa i takon financimit rus në PD në vitin 2017.

“Takimi nuk përmendi emra, di të them që ka një proces që  duhet të hetohet, të dini që asgjë nuk rri pa dalë, kush e ka gëlltitur lugën e çorbës të prishur ka për të vjellë gjithë jetën. Financimet ruse në të gjithë jetën politike dhe ekonomike sidomos në rajon normal që është bërë emergjente ngritja e barrierave e këtyre financimeve ruse”.

Zëri i Amerikës: Rusia ia dha rreth gysmë milioni dollarë PD-së në Shqipëri, përmes disa kompanive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore