Shqipëria

Financial Times: Shqipëria lufton për të frenuar bandat kriminale


Gazeta londineze “Financial Times” i ka kushtuar një artikull të mërkurën e 15 marsit luftës së autoriteteve ndaj krimit dhe bandave kriminale në Shqipëri.

Kjo, duke sjellë në vëmendje fillimisht goditjen ndaj kamerave të vëzhgimit të instaluara nga kriminelët.

“Fuqia e rrjeteve kriminale në Shqipërinë e Ramës u zbulua në mënyrë spektakolare muajin e kaluar. Policia rrëzoi qindra kamera vëzhgimi të instaluara nga kriminelët – një operacion i madh spiunazhi që monitoron zbatimin e ligjit dhe rivalët”, shkruan FT-ja.

Oficerët kërkuan të merrnin pamjet nga ato kamera në janar pas një shpërthimi jashtë shtëpisë së një komandanti policie, i cili kishte drejtuar një operacion kundër kultivuesve të kanabisit dhe rrjeteve të trafikut të drogës.

Kur gangsterët vendas refuzuan të bashkëpunonin, policia filloi t’i rrëzonte ata. Më shumë se 500 pajisje u hoqën në të gjithë vendin.

Rama tha në atë kohë se operacioni i policisë ishte “pak si një situatë Catch-22 pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.

Artan Hoxha, një gazetar investigativ shqiptar, tha se kishte parë “dhoma të mëdha kontrolli me shumë ekrane, ku grupet e mëdha të krimit vëzhgojnë”.

“Ata kishin vizion nate, aftësi për njohjen e fytyrës dhe targave. Vetëm policia duhet të ketë kamera të tilla. Madje kishte kamera në pyll për të monitoruar plantacionet e barërave të këqija”, shtoi ai për FT-në.

Sipas së përditshmes britanike, Rama është detyruar të mbrojë reformat që dyshohet “se janë miqësore me pastruesit e parave, të shpjegojë se si bashkëpunëtorët e vjetër të qeverisë u përfshinë në hetimet e trafikut të drogës dhe të llogarisë rolin e tij në rënien e një oficeri të turpëruar të FBI-së”.

Rama ka mbrojtur përpjekjet e tij për të çrrënjosur bandat: “Lufta e krimit dhe trafikimit ka qenë një prioritet për këtë qeveri”, tha ai për Financial Times përmes një zëdhënësi.

Megjithatë, shkruan gazeta, qeveria e tij shkaktoi polemika vitin e kaluar duke kërkuar të ofrojë një amnisti tatimore.

Kjo, për riatdhesimin e të ardhurave të huaja të padeklaruara deri në 2 milionë euro, një lëvizje që kritikët thonë se do t’u jepte kriminelëve me të ardhura të larta një leje kalimi falas.

Ligji është në pritje të miratimit parlamentar edhe pse draft-versionet e mëparshme u kritikuan nga BE-ja, në të cilën Shqipëria është një kandidate për t’u anëtarësuar, vëren më tej Financial Times.

Qeveria e Ramës ka thënë se ligji do të zbatohet vetëm për të ardhurat e ligjshme.

Anëtarë të lartë të administratave të mëparshme të Ramës janë implikuar në çështje droge, kujton botimi.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u burgos për shpërdorim detyre për lidhje me një rrjet trafiku.

Mbrojtësit e Ramës thonë se krerët e mëparshëm të qeverive nuk do të kishin lejuar kurrë burgosjen e zyrtarëve të tyre.

Por skandali i mbikqyrjes zemëroi qytetarët e rregullt, shumë prej të cilëve besojnë se qeveria bashkëpunon me trafikantët e drogës, nënvizon FT-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore