Sport

Finalja e Conference League ‘blindon’ Tiranën, Policia prezanton masat e sigurisë


Ngjarja e madhe sportive e finales së UEFA Conference League, ndeshja e cila do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj në stadiumin “Air Albania”, do të shohë masa shumë të shtuara policore jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, ku do të qëndrojnë disa tifozë të ekipeve pjesëmarrëse në finale, Roma dhe Feyenoord.

Për shkak të rëndësisë së madhe dhe sigurimit të çdo parametri që kërkohet në rastin e ngjarjeve të tilla spotive, Policia e Shtetit ka prezantuar masat shtesë që do të ndërmarrë.

Kryesisht, ato kanë të bëjnë me eksportimin e ekipeve në çdo rrugëtim të tyre.

Personalitetet e larta të UEFA-s apo personalitete të tjera shtetërore pritet të vijnë në Tiranë për ndeshjen e madhe. Ndaj, edhe delegacionet e tyre do të eskortohen nga Policia, si pjesë e masave të sigurisë.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me mjetet që do të bëjnë transportin e sportdashësve në dy “Fan Zone” që do të krijohen në Tiranë.

Ajo e tifozëve të Romas do të jetë e vendosur tek zona e Amfiteatrit të Liqenit Artificial, ndërsa ajo e holandezëve, tek shëtitorja Murat Toptani.

Hyrja në stadium do të bëhet e kontrolluar në pesë pika: Rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe te kolonat në sheshin “Italia”.

Organizimi i rendit publik do të jetë në vëmendje të padiskutueshme të Policisë, me shumë forca shtesë të shtuara në terren.

Trafiku rrugor do të menaxhohet përpara, gjatë dhe pas ndeshjes, duke u siguruar që të lihen hapur rrugëkalimet për shërbimet e emergjencës.

Një apel është bërë edhe për qytetarët që nuk kanë bileta për ndeshjen, që të mos i frekuentojnë zonat pranë stadiumit dhe rrugët përreth.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore