Është finalizuar me sukses operacioni i koduar “STORM” nga Policia e Shtetit, duke u vënë në pranga pesë shtetas.
Ndërsa në kërkim është shpallur një i tillë dhe dy të tjerë procedohen në gjendje të lirë.
Policia e Shtetit ka kryer zbardhjen e dy vrasjeve të mbetura në tentativë, dy vjedhjeve të automjeteve dhe vjedhja e sendeve personale dhe portofolit të një shtetasi që kthehej nga Gjermania.
Personat e proceduar nga policia
Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin. Damjan (Besmir ) Lleshaj (Prela), 34 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, i dënuar më parë për vjedhje. Robert Laci, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Ilirian Feçi, 47 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali, për grabitje të bankave dhe trafikim të lëndëve narkotike. Është arrestuar në flagrancë shtetasi Erion Mulaj, 30 vjeç, banues në Durrës.
Janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit: M. M., 67 vjeç, banues në Durrës dhe E. V., 30 vjeçe, banuese në Kurbin.
Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi Shpëtim Kraja, 35 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar veshje të ndryshme, që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, dy automjete të vjedhura, targa automjetesh të vjedhura, një armë gjahu, municion luftarak,13 aparate celulare dhe sende të tjera të vjedhura.
Akuzat ndaj të arrestuarve
Nga puna e bërë nga blutë e Tiranës, rezulton se personat e proceduar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të dyshuar të disa ngjarjeve.
Ato akuzohen për “Vrasje të mbetur në tentativë të punonjësve të Policisë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë” dhe “Vjedhje”.
Nga autoritetet policore mësohet se, më datë 14 janar 2022, në Qafë Kashar, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një mjeti, drejtuesi i të cilit nuk ka ndaluar dhe është larguar në drejtim të Fushë Krujës.
Në tentativë për t’u larguar, mjeti është përplasur me një bordurë dhe personat që ndodheshin në mjet, kanë dalë duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë dhe duke përfituar nga errësira janë larguar dhe e kanë braktisur mjetin.
“Vrasja e mbetur në tentativë” ndodhi ndaj shtetasit A. Gj., më datë 17 gusht 2021, në vendin e quajtur fshati Adriatik, Fushë Kuqe.
Autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shtetasit Ibrahim Difaj, Ilirian Feçi dhe Robert Laci.
Policia njofton se Ibrahim Difaj, së bashku me Ilirian Feçin janë paguar 20 mijë euro nga Robert Laci, për të vrarë shtetasin A.Gj.
Gjithashtu, shtetasit e proceduar janë autorë të disa vjedhjeve të makinave, targave apo sendeve me vlerë ndaj personave të ndryshëm.