Finale dramatike në basketbollin e femrave, Amerika i merr në frymën e fundit të artën Francës
Një ndeshje zemërthyese në finalen e basketbollit për femra ka qenë ajo mes SHBA-ve dhe Francës, ku këto të fundit nuk ia kanë dalë të marrin një të artë, duke humbur vetëm në frymën e fundit të takimit.
Tejet e luftuar prej fillimit dhe me një rezultat që gjithnjë shkonte hap pas hapi mes ekipeve, duke u mbyllur përfundimisht në 67-66, finalja ishte parashikuar të ishte një shëtitje në park për amerikanet, por e tillë nuk u paraqit.
Ekuilibri u ruajt më së shumti prej franceze me një mbrojtje shumë të fortë dhe me kosha përcaktues në çastet e duhura.
Duke mbetur në disavantazh me tre pikë dhe me 3.8 sekonda të mbetura në kronometër, francezja Gabby Williams nxorri nga repertori i saj një gjuajtje spektakolare, të cilën e realizoi. Por, u quajt e vlefshme vetëm për dy pikë dhe jo për tre, duke i lënë të zemërthyera “les bleus” dhe duke ia dhuruar fitoren SHBA-ve, të cilat kanë prej dekadash hegjemoninë në basketboll.
Williams e mbylli ndeshjen me 19 pikë.
Nga amerikanet ndërkohë, ishte A’ja Wilson, ajo e cila ishte më përcaktuesja me 21 pikë. Plum dhe Copper patën gjithashtu një ndeshje të mirë me 12 pikë secila.
Me këtë ndeshje mbyllet përfundimisht edhe saga e Lojërave Olimpike Paris 2024, ku sërish në mënyrë dramatike, Amerika ka arritur të marrë arin e fundit dhe kështu edhe të sigurojë vendin e parë në renditje sa i takon të artave, duke ia rrëmbyer Kinës.
Të dy shtetet numërojnë nga 40 të arta për kokë, por SHBA-të kanë mbi 30 medalje më shumë se kinezet në tërësi dhe kësisoj, e mbajnë ato vendin e parë të përgjithshëm në Olimpiadën e Parisit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com